Dita e Dhurimit të Gjakut, rritet numri i vullnetarëve

Në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu falënderoi mijëra dhurues që me solidaritetin e tyre kanë shpëtuar jetë dhe ndihmuar pacientët talasemikë, të cilët duhet të marrin gjak çdo 2 javë për gjatë gjithë jetës së tyre.
Zonja Koçiu tha se “në 5 vitet e fundit 37 096 qytetarë kanë dhuruar gjak duke u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kishin nevojë për këtë produkt jetik i cili nuk blihet, por vetëm dhurohet”.
Koçiu u bëri apel të gjithë qytetarëve për dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë. Nevojat për gjak në stinën e verës rriten, për këtë arsye apeli i të gjitha institucioneve shëndetësore është për më shumë dhurime vullnetarë në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për gjak.
14 Qershori njihet si Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut. Kjo ditë vlen për ndërgjegjësimin ndaj nevojave për gjak të sigurtë si dhe për të falënderuar dhuruesit vullnetarë të gjakut.
Shërbimi i dhënies së gjakut, u jep pacientëve akses në gjak të sigurtë dhe produkte gjaku në sasi të mjaftueshme dhe është një komponent kyç i një sistemi shëndetësor efektiv. Tema globale e Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut ndryshon çdo vit në shenjë vlerësimi ndaj individëve vetëmohues që dhurojnë gjakun e tyre për njerëz të panjohur për ta.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




