Dita Kombëtare e Jetimëve – Sokoli dhe Alberti, kujdestarë në Shtëpinë e Fëmijës ku u rritën

Sociale | 1 vit më parë

Sokol Murati dhe Albert Rekaj sot janë kujdestarë pranë Shtëpisë së Fëmijës 6–15 vjec në Shkodër.

Dikur banorë rezidentë të saj, jeta e tyre si jetimë ka kaluar nëpër mundime të shumta.

“Që nga brefotrofi, 0–3 vjeç, te parashkollorja dhe këtu te Shtëpia e Fëmijës 6–14 vjeç. 14 deri në 18 vjeç kam qenë në konvikt. Kam 30 vjet punë që bëj këtu,” rrëfen z. Murati.

“Jam rritur në Shtëpinë e Fëmijës. Qysh nga brefotrofi kemi kaluar disa etapa. Momenti im më i vështirë ka qenë kur vinin fëmijë të tjerë të takonin prindërit dhe ne nuk i kishim. I pyesnim ‘mos je nëna ime’. Aty ka qenë shumë e vështirë,” tregon z. Rekaj, kujdestar në Shtëpinë e Fëmijës.

Nëse Alberti arriti ta gjente nënën e tij përmes emisionit “Njerëz të humbur” në RTSH, Sokoli nuk e njohu kurrë atë.

“Unë i kam njohur prindërit e mi, por ma kthyen shpinën. Për këtë arsye kam vazhduar jetën time. Kam ecur përpara,” thotë z. Rekaj.

Të dy sot vijnë si histori suksesi ku kanë arritur të integrohen dhe të krijojnë familjet e tyre.Apeli I tyre vijon të jetë për më shumë mbështetje në strehim.

“Kam tre fëmijë si yje. Kam një nuse të mrekullueshme, që nuk kam paragjykime. Kam krijuar familje. Llogarite, më pyet djali im sot në klasë të pestë ‘babi, si s’e kena një shtëpi tonën’,” shprehet Alberti.

“Falë punës që kam këtu kam marrë kredi qysh në 2002. Hala s’e kam shlyer,” thotë Sokoli.

20 Maji shënon Ditën Kombëtare të Jetimëve. Qëllimi I kësaj dite mbetet apeli për më shumë kujdes ndaj tyre.

Gazetare: Merisa Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme