“Ditët e Khameneit janë të numëruara”: Kush në Iran po planifikon largimin e tij

Sulmet e SHBA-së ndaj Iranit përshpejtuan zhvillimet në Teheran lidhur me fatin e udhëheqësit suprem të vendit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe nëse ai duhet të mbetet në pushtet.
Disa ditë para sulmit amerikan, një grup biznesmenësh të shquar iranianë, figura politike dhe ushtarake dhe të afërm të klerikëve të rangut të lartë, thanë për The Atlantic.com dy burime të përfshira në diskutime , se kishin filluar të hartonin një plan për qeverisjen e Iranit pa Khamenein – qoftë në rast të vdekjes së udhëheqësit 86-vjeçar ose në rast të përmbysjes së tij.
Megjithatë, ata thanë se kjo ishte “vetëm një nga shumë” konsiderata. Siç tha një zyrtar, “të gjithë e dinë se ditët e Khameneit janë të numëruara”.
“Edhe nëse ai qëndron në detyrë, ai nuk do të ketë pushtet të vërtetë”, u shpreh ai.
Presion mbi Ajatollahun
Presioni për të larguar 86-vjeçarin Khamenei, sipas të njëjtave burime, ekzistonte që para sulmit amerikan, pasi ai është në moshë të shtyrë dhe përballet me probleme kronike shëndetësore.
Irani i ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara me hakmarrje “serioze” pas sulmit ndaj objekteve të tij bërthamore. Megjithatë, analistët shprehin dyshime rreth aftësisë së Teheranit për t’i bërë ballë një konflikti të njëkohshëm me SHBA-në dhe Izraelin, me të cilët është në konflikt për të 11-tën ditë.
Në të njëjtën kohë, Vladimir Putin premtoi mbështetjen e tij për Iranin dhe dënoi agresionin “e pabazuar” kundër aleatit të Rusisë.
Kremlini paralajmëroi se sulmet amerikane hapën “kutinë e Pandorës” dhe rrezikuan “sigurinë dhe prosperitetin e njerëzimit në tërësi”.
Tentativa e vrasjes dhe trashëgimia
Teksa kriza në Iran thellohet, Ajatollah Khamenei thuhet se është tërhequr në një bunker nëntokësor. Tre zyrtarë iranianë i thanë New York Times se të gjitha komunikimet elektronike janë ndërprerë për shkak të frikës se ai është një objektiv për vrasje.
Në të njëjtën kohë, tre pasardhës të mundshëm janë emëruar tashmë në rast të vdekjes ose shkarkimit të tij. Një komitet prej tre anëtarësh i klerikëve të lartë të emëruar nga vetë Khamenei dy vjet më parë për të planifikuar trashëgiminë e tij po përshpejton procesin, pasi Izraeli thuhet se ka kërcënuar hapur ta eliminojë atë, sipas pesë burimeve që folën me Reuters.
Khamenei, i cili informohet rregullisht për bisedimet, është tërhequr me familjen e tij, nën mbrojtjen e njësisë elitare “Vali-e Amr” të Gardës Revolucionare, sipas një zyrtari të lartë të sigurisë iraniane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




