Dollari po i afrohet 100 lekëve, euro zbret në nivelin më të ulët që para pandemisë

Monedha vendase ka shënuar një tjetër rritje ndaj të gjitha valutave kryesore gjatë ditës së sotme, duke vijuar me tendencën e saj mbiçmuese që ka qenë e qëndrueshme gjatë gjithë dhjetorit.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.5 lekë, duke u nënçmuar me 0.05 lekë. Ky është niveli më i ulët i monedhës së përbashkët që nga marsi, përpara fillimit të pandemisë, kur monedha e përbashkët këmbehej me më pak se 123 lekë. Në javët e para të karantinës, euro u rrit me shpejtësi për disa ditë, duke i kaluar 130 lekë në fund të marsit, si rrjedhojë e bllokimit të rrugëve të hyrjes së valutës. Por më pas, kursi u stabilizua në 124-125 lekë, me një tendencë të lehtë nënçmuese në gusht, si rrjedhojë e efekteve sezonale.
Rënia e euros në tregun e brendshëm po vijon edhe pse në bursat ndërkombëtare monedha e përbashkët ka arritur në 1.22 dollarë, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2018.
Ditën e sotme, rënien e fortë e ka vijuar dhe dollari, që ka zbritur në 100.85 lekë, duke iu afruar nivelit të 100 lekëve për herë të parë në më shumë se gjashtë vjet. Që nga janari, monedha e gjelbër është nënçmuar me më shumë se 9 lekë, ose rreth 8.3%. rënia e fortë e dollarit është përforcuar dhe nga dobësia e tij në tregjet ndërkombëtare, ku ai po luhatet afër niveleve me të ulëta të dy viteve e gjysmë ndaj euros.
Aktorët e tregut e shpjegojnë dobësinë e valutës me faktorët e brendshëm, që lidhen me kërkesën e dobët për to, sidomos për euro, që është dhe monedha më e përdorur. Në kahun tjetër, oferta mbetet e lartë, ndonëse të dhënat e Bankës së Shqipërisë për 9 mujorin treguan se deficiti i llogarisë korente (që mat flukset e hyrjes dhe daljes së valutave) u përkeqësua me 8.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (dhe 9% për tremujorin e tretë, me bazë vjetore), duke treguar se zyrtarisht nuk ka hyrë më shumë valutë në vend.
Burime nga banka e Shqipërisë pohojnë se këto kohë nuk ka pasur as veprime nga Ministria e Financave për shitjen e eurove dhe faktorët që kanë ndikuar lidhen me kërkesë ofertën në tregun e brendshëm.
Për shkak të krizës ekonomike të krijuar nga pandemia kërkesa për valutë mbetet e ulët. Në kahun tjetër, këtë vit nuk ka as prenotime për pushime jashtë vendit, duke qenë një tjetër faktor që ka ndryshuar kërkesën.
Sezonalisht fundi i vitit shoqërohej me një rënie të valutave, për shkak të rritjes së prurjeve të emigrantëve, por këtë vit ky faktor është i dobët, teksa Italia dhe Greqia ardhjet e emigrantëve janë të kufizuara për shkak të kufizimeve nga pandemia.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




