Donald Trump: SHBA ka shkatërruar plotësisht programin bërthamor të Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar plotësisht programin bërthamor të Iranit, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si më të fuqishmen ndonjëherë ndaj Teheranit.
Në një intervistë për Fox News, duke folur për Lindjen e Mesme, deklaroi se, “Programi bërthamor i Iranit u shkatërrua si kurrë më parë. Kjo nënkuptonte fundin e ambicieve të tyre bërthamore – të paktën për një periudhë kohe.”
Kur u pyet nëse Irani mund ta kishte zhvendosur uraniumin e pasuruar shumë nga vendi i Fordoë para sulmit, Trump këmbënguli se kjo ishte “shumë e vështirë për t’u bërë”.
“Është shumë e rrezikshme për t’u bërë, është shumë e rëndë, shumë, shumë e rëndë, është një gjë shumë e vështirë për t’u bërë”, tha ai.
“Për më tepër, nuk njoftuam shumë sepse ata nuk e dinin që po vinim.“
Në një diskutim të gjerë, presidenti amerikan tha se“ Bomba depërtoi në strukturë si të ishte gjalpë. Tani aty ka vetëm mijëra tonë gurë. I gjithë kompleksi është rrënuar.”
Deklarata e Trump vjen një javë pas bombardimeve ajrore të SHBA-së ndaj tre impianteve kryesore bërthamore iraniane. Një nga objektet kryesore, sipas tij, ishte objekti nëntokësor në Fordo, për të cilin ai deklaroi se Irani nuk arriti të largonte uraniumin e pasuruar nga objekti i Fordos përpara sulmit:
“Nuk është e lehtë ta largosh. Është shumë e rrezikshme, shumë e rëndë dhe një proces i ndërlikuar. Për më tepër, nuk patën kohë, sepse nuk e dinin që po i afroheshim.”
Sipas tij, SHBA kishte informacione se Irani ndodhej vetëm disa javë larg prodhimit të një arme bërthamore. Por tani, Trump beson se Teherani nuk ka më as vullnet dhe as kapacitet për të vijuar me programin.
“Gjëja e fundit që duan tani është të mendojnë për energjinë bërthamore. Duhet të përqendrohen fillimisht tek rivendosja e funksionimit të vendit.”
Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu optimist se fushata e përbashkët amerikano-izraelite kundër Iranit do të nxisë më shumë vende të nënshkruajnë paqe me Izraelin, në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit.
“Kemi tashmë disa vende shumë të mira që janë pjesë e marrëveshjeve. Besoj se do të ketë më shumë. Irani ishte pengesa kryesore. Në fakt, në një moment mendoja se edhe Irani mund t’i bashkohej Abraham Accords.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




