Drafti për Kodin e ri Penal, Beqiri: Tekst mësimor, i pakonsultuar me botën juridike

Aktualitet | 1 vit më parë

Pak ditë më parë u prezantua drafti i ri i Kodit Penal në Shqipëri, i cili sjell një sërë ndryshimesh të rëndësishme të cilat synojnë kalimin nga një sistem që përqendrohet kryesisht në ndëshkim drejt një sistemi që promovon riparimin, rehabilitimin dhe riintegrimin.

Avokati Idajet Beqiri i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ka kritikuar Kodin e ri Penal, pasi sipas tij është hartuar si një tekst mësimor dhe i pakonsultuar me “mendimet” e botës juridike.

Beqiri thekson se nuk nevojiten vetëm ndryshime në Kodin Penal, por një kod i ri ku fokus të mos jetë ashpërsimi i masave.

“Nga mënyra si e ndërtojmë legjislacionin, si punojmë për të nxjerrë një Kod, kemi probleme serioze. Këto duken dhe nga mënyra si u paraqit projekti nga ky grup pune.

Të paraqesësh një projekt e ta hedhësh për diskutim, dhe të mos jenë njohur me këtë projekt, anëtarët e Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Përgjithshme. Në Kodin e ri Penal, ndryshimet kryesore që duhen nënvizuar, janë: veprat penale që kemi sot dhe parashikojnë llojet e dënimeve, janë të ndërtuara në një mënyrë të tillë, që nuk e parandalojnë e luftojnë krimin, por e nxisin atë.

Me ashpërsinë e dënimeve në Kodin aktual Penal, është e gabuar. Dispozitat ligjore në luftën kundër drogës, barazohet dënimi për 2 gram kanabis me atë me 2 ton heroinë. 900 nene në një Kod Penal dhe një nen 2 faqe, ai është tekst mësimor, jo Kod. kodi Penal do definicione precize.

Dënimet janë katastrofale. Në Kodin e ri Penal duhet theksuar kush do të konsiderohet kundërvajtje, kush përbën realisht vepër penale”, deklaroi Beqiri.

Avokati theksoi se Shqipëria është vendi i parë në botë për ashpërsinë e masave të sigurimit.

“Problemi”,- deklaron Beqiri- “qëndron te funksionimi i institucioneve dhe rolin që duhet të luajnë auditet”.

“Masat e dënimit me Kodin aktual i kemi të ashpra. Jemi vend me kriminalitet të theksuar. Masat e dënimit janë në rregull, por nuk zgjidhen problematikat me ashpërsim dënimi.

Jemi vendi i parë jo vetëm në Europë, por në botë për masat e sigurimit që marrim në mbi 90% të rasteve kemi masën “arrest me burg”. S’dimë të zbatojmë garancinë pasurore, detyrim paraqitje, detyrim për të mos u larguar nga vendi. Arresti në shtëpi zbatohet rrallë.

Tjetër klimë duhet ndërtuar. Kodi Penal duhet ti parashikojë e zbatojë të gjitha këto”, përfundoi ai.

Pak ditë më parë u prezantua drafti i Kodit të ri Penal, i hartuar nga një grup ekspertësh dhe i udhëhequr nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Një nga risitë kryesore të këtij drafti është ndarja e qartë e veprave penale në krime dhe kundërvajtje penale, duke përcaktuar kritere të detajuara për dallimin mes tyre, përfshirë kufijtë maksimalë të dënimeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit kriminal.

Drafti sjell edhe konceptin e “krimit shumë të rëndë”, i cili do të përcaktohet si çdo krim me dënim mbi dhjetë vjet burgim ose i kryer nga organizata kriminale, pavarësisht masës së dënimit. Kjo ndarje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e vuajtjes së dënimit dhe caktimin e masave plotësuese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme