Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, takim me bizneset nga Kosova për përmirësimin e procedurave të tranzitit në Portin e Durrësit

Drejtori i Përgjithshëm, Besmir Beja, priti në një takim një grup përfaqësuesish të bizneseve nga Kosova, të cilët operojnë kryesisht në sektorin e tekstilit dhe këpucëve dhe që përdorin Portin e Durrësit për importin e mallrave nga vendet e treta drejt Kosovës.
Takimi u zhvillua në një frymë të hapur bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv, me fokus diskutimin e procedurave të tranzitit të mallrave dhe identifikimin e mundësive për përmirësimin e mëtejshëm të tyre, duke ruajtur njëkohësisht standardet e kontrollit doganor.
Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e bizneseve paraqitën disa nga shqetësimet dhe sfidat që hasin në procesin e tranzitit të mallrave përmes Portit të Durrësit drejt Kosovës, veçanërisht në lidhje me kohëzgjatjen e kontrolleve dhe kostot e lidhura me to. Ata theksuan rëndësinë që ka për bizneset një proces tranziti i parashikueshëm dhe efikas, duke nënvizuar gjithashtu mbështetjen e tyre për masat që synojnë luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Beja, vlerësoi dialogun me komunitetin e biznesit si një element të rëndësishëm për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve doganore dhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë e administratës doganore për të shqyrtuar me kujdes çështjet e ngritura gjatë takimit dhe për të identifikuar zgjidhje që lehtësojnë procedurat, pa cenuar integritetin e kontrollit doganor.
Në këtë kuadër, u diskutuan edhe disa propozime konkrete që lidhen me organizimin më të mirë të procesit të inspektimit të kontejnerëve, përmirësimin e komunikimit me bizneset përmes operatorëve të autorizuar të transportit dhe rritjen e transparencës në njoftimin dhe planifikimin e kontrolleve.
Të dyja palët vlerësuan rëndësinë që ka Porti i Durrësit si një nga portat kryesore të tregtisë për rajonin dhe theksuan se funksionimi sa më efikas i procedurave të tranzitit është në interes të përbashkët për zhvillimin ekonomik dhe për lehtësimin e tregtisë së ligjshme ndërmjet dy vendeve. Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova shprehën vlerësimin për pritjen dhe gatishmërinë për dialog nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke theksuar besimin se bashkëpunimi do të vijojë të forcohet edhe më tej në të ardhmen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




