Dumani hedh poshtë akuzat e Metës: Nuk e kam takuar kurrë McGonigal!

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani reagoi sot lidhur me akuzat e ish-presidentit dhe kreut aktual të Partisë së Lirisë Ilir Meta se është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, të pabaza që bëhen për institucionin që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve në mediet shqiptare”, tha Dumani.
Meta tha se Kreu i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani, është mbrojtës i pandëshkueshmërisë së kryeministrit Edi Rama dhe se Dumani nisi hetimet ndaj tij pas takimit me McGonigal.
Charles McGonigal, është një ish-zyrtar i FBI i arrestuar për lidhje me rusët dhe marrje ryshfeti. Ish-kreu i kundërzbulimit në FBI ka udhëtuar në Shqipëri dhe ka marrë para nga një ish-zyrtar shqiptar. McGonigal, është deklaruar vitin e kaluar fajtor në gjykatën federale të Uashingtonit, duke pranuar se ka fshehur pagesa sekrete të bëra në drejtim të tij nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar. Ai ka pranuar se ka falsifikuar të dhënat dhe ka bërë deklarata të rreme në lidhje me 225,000 dollarët që mori nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, gjatë kohës që punonte për FBI-në.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




