Dy efektivët e Policisë Ushtarake të përfshirë në ngjarjen e Vlorës, ministri Nufi sqaron akuzat

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas raportimeve të disa portaleve mbi përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë.

Në deklaratën e tij, ministri theksoi se personat e përmendur nuk janë truproja apo badigardë personalë, por pjesë e strukturës së Policisë Ushtarake, e cila funksionon si pjesë e Forcave të Armatosura me detyra të përcaktuara me ligj.

“Këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë, por pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.”

Ai kujtoi se efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe se “në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.”

Ministri theksoi se “asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë. Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.”

Ai shtoi se Ministria e Mbrojtjes “distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese. Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin.”

Nufi bëri të ditur se deri në përfundimin e verifikimeve “dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake.”

“Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake. Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor. Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.”

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme