“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, eksperti Guçe: Synon zgjerimin e bizneseve mikro e të mesme. Përshtatja me standardet e tregut europian, kyçe

Ekonomi | 6 muaj më parë

Një partneritet i ri mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe sipërmarrjes synon të forcojë mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes programit dyfisho sipërmarrjen tënde.

Eksperti i ekonomisë, Daniel Guçe i ftuar në “Mirëmëngjes Shqipëri” ka sqaruar ndikimin konkret që do të ketë kjo nismë dhe si do të ndihmohen këto biznese të vogla dhe të mesme.

Sipas Guçes, një nga problemet kryesore të sipërmarrjeve në Shqipëri ka qenë gjithmonë mungesa e aksesit në financim dhe normat e larta të interesit nga sistemi bankar.

Ai theksoi se programi është në vitin e dytë të zbatimit, pasi fillimisht u pilotua në sektorin e bujqësisë, ku pati interes të lartë nga bizneset. Pas rezultateve pozitive, instrumenti financiar po shtrihet tashmë edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Një nga problemet kryesore ka qenë aksesi në financa. instrument të tillë financiar si ky që në fakt është viti i dytë, pra ka qenë i pilotuar sektori i bujqësisë, pra është dakordësuar midis qeverisë shqiptare dhe bankës së Shqipërisë për të suportuar në fakt sektorin e bujqësisë i cili u bë gati deri diku dhe u testua deri në fund të nëntorit. Pra kanë qenë aplikime diku nga data 25 nëntorit të 2025-së të cilët pati interes nga sipërmarrjet dhe u pa për të për t’u shtrirë domethënë si instrument financiar, pra si mbështetje dhe për sektorët e tjerë të ekonomisë, pra duke përfshirë atë që quhet small e medum enterprises, pra domethënë sipërmarrjet mikro të vogla e të mesme që në fakt janë 99.9 e totalit të regjistrit të sipërmarrjeve në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Guçe.

Sipas tij, shumica e këtyre bizneseve janë mikro-ndërmarrje, me 1 deri në 4 të punësuar, të cilat shpesh janë përballur me vështirësi për të marrë kredi për shkak të mungesës së kolateralit apo perceptimit të bankave për risk të lartë.

Eksperti vlerësoi se instrumente të tilla financiare do t’u japin mundësi sipërmarrjeve të zgjerojnë aktivitetin dhe të përballojnë sfidat e tregut, veçanërisht në prag të integrimit europian.

Ai theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të kërkojë standarde më të larta prodhimi, teknologji moderne, përmirësim të ambalazhimit, etiketimit dhe dizajnit të produkteve shqiptare.

“Sfida kryesore është jo vetëm konkurrueshmëria sot në tregun vendas, por do jetë edhe anëtarësimi në Bashkimin Europian, që do të thotë do t’i duhet një përshtatje. Pra përshtatje me standardin e prodhimit, me teknologjinë e prodhimit, pra domethënë me qasjen, le të themi konsumatore, duke përfshirë etiketima, amballazhim etj. Gjithë sfidat që do të ketë sipërmarrja shqiptare në përafrimin me tregun europian do t’i duhet, le të themi dhe instrumenta të tillë që janë të nevojshëm me një normë interesi që është 2%”, deklaroi Guçe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme