Dyshime për spiunazh, arrestohet praktikantja kanadeze në selinë e NATO-s

Autoritetet belge kanë arrestuar një grua kanadeze me origjinë kineze, e cila punonte si praktikante në selinë operative të NATO-s, nën akuzën për spiunazh.
Zyra e Prokurorit Federal të Belgjikës njoftoi se hetimi nisi pas informacioneve të marra nga shërbimet e sigurisë së NATO-s. Të premten, një ditë pas bastisjes së shtëpisë dhe vendit të punës së saj brenda qendrës së komandës operative të aleancës, e dyshuara u arrestua.
“Ajo dyshohet për spiunazh në emër të një vendi të tretë dhe për anëtarësim në një organizatë kriminale,” thuhet në deklaratën e prokurorëve.
Kanadaja dhe Belgjika janë anëtare të NATO-s, aleancë prej 32 vendesh, e cila në vitin 2021 e cilësoi Kinën si një “sfidë sigurie”, krahas kërcënimeve nga Rusia dhe Lindja e Mesme.
Selia strategjike e bazës së Fuqive Aleate, e njohur si SHAPE, ndodhet në Mons, në jug të Belgjikës, pranë kufirit francez.
Ndërkohë, selia politike e NATO-s është në Bruksel, ku ambasadorët e vendeve anëtare diskutojnë çështje të mbrojtjes, ndërhyrjet me dronë dhe kërcënimet kibernetike.
Në SHAPE, zyrtarët ushtarakë hartojnë dhe komandojnë strategjitë, taktikat dhe operacionet e përbashkëta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





