E ardhmja e Merz-it në pikëpyetje, kancelari gjerman humb mbështetjen pas humbjes në Saksoni Anhalt
Të dielën kancelari gjerman Friedrich Merz pritet mbledhë në Berlin Komitetin Ekzekutiv të partisë së tij CDU, të përbërë nga 22 figura kryesore konservatore. Takimi do të vijë menjëherë sapo të bëhen të ditura rezultatet e zgjedhjeve në landin e Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore.
Gjatë atij takimi, Merz pritet të ngrejë pyetjen nëse gëzon ende besimin e partisë së tij, pasi rreth 18 muaj pas marrjes së detyrës në maj të vitit 2025, mbështetja e opinionit publik ndaj qeverisë federale ka rënë në nivelin më të ulët historik.
Edhe mbështetja për kancelarin gjerman është ulur ndjeshëm mes anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar sidomos pas humbjes së thellë të CDU-së dhe fitores historike të partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë, e njohur si AFD në landin e Saksoni Anhaltit.
Me gjasë të dielën Merz do të përballet sërish të njëjtin fat gjatë zgjedhjeve në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, pasi CDU sipas sondazheve mbështetet nga vetëm 7% e gjermanëve. Madje anëtarë të kabinetit të tij së fundmi kanë artikuluar se një ndryshim mund të jetë i domosdoshëm.
Çështja thelbësore mbetet tek pasuesi i kancelarit gjerman, pasi ende nuk është bërë publik ndonjë kandidat konkret, ndonëse janë përmendur dy emra, ai i liderit të CSU-së dhe kryeministrit të landit të Bavarisë Markus Shoder dhe Hendrik Vyst, kryeministri i landit të Rinit Verior-Vestfalisë, më i populluari në Gjermani.
Ndërsa e ardhmja si kancelar e Friedrich Merz mbetet e paqartë, ai ka anuluar edhe udhëtimin e planifikuar në Nju Jork, ku do të merrte pjesë në Debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




