Eklipsi diellor magjepsi qiellin, miliona njerëz me sytë nga qielli. Fenomeni i rrallë u pa pjesërisht edhe nga Shqipëria

Një nga fenomenet më spektakolare astronomike të vitit ka ndodhur sot, 12 gusht, teksa Hëna kaloi përpara Diellit duke krijuar një eklips të plotë diellor. Fenomeni u ndoq nga miliona njerëz në vende të ndryshme të botës, ndërsa në Shqipëri u pa në formën e një eklipsi të pjesshëm.
Eklipsi i plotë ishte i dukshëm përgjatë një brezi të ngushtë që përfshiu pjesë të Arktikut, Groenlandën, Islandën dhe veriun e Spanjës, ku Dielli u mbulua plotësisht nga Hëna dhe për pak çaste dita u shndërrua në një spektakël të pazakontë qiellor.
Në Shqipëri, pamja ishte më e kufizuar. Në Durrës, eklipsi nisi rreth orës 19:31, arriti pikën maksimale rreth orës 19:41 dhe përfundoi rreth 19:44. Në momentin e maksimumit, vetëm një pjesë e diskut të Diellit ishte e mbuluar nga Hëna. Edhe në Tiranë dhe Fier fenomeni u pa pjesërisht.
Ky eklips ishte veçanërisht i rëndësishëm për Evropën, pasi bëhet fjalë për një nga eklipset totale më të rralla të viteve të fundit. Në zonat ku u arrit totaliteti, Hëna mbuloi plotësisht diskun e Diellit, duke bërë të dukshme koronën diellore.
Fenomeni tërhoqi vëmendjen e astronomëve dhe mijëra njerëzve që u vendosën në zonat më të favorshme për ta ndjekur atë. Në Spanjë, Islandë dhe vende të tjera përgjatë brezit të totalitetit, qytetarë u mblodhën për të përjetuar nga afër një prej ngjarjeve më të veçanta astronomike të vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












