Ekstradohet nga Zimbabve biznesmeni i kërkuar për korrupsion dhe pastrim parash

Një tjetër sukses shënohet në operacionin ndërkombëtar policor “The Wanted”. Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve i shtetasit shqiptar L. D., 42 vjeç, lindur në Lushnjë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.
L. D. ishte në kërkim që nga viti 2022, kur Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj tij. Akuzat përfshinin “Korrupsionin aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të dyja të kryera në bashkëpunim.
Hetimet e detajuara kanë zbuluar se L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme. Kjo është realizuar përmes faturave dhe pagesave fiktive, duke pretenduar punë dhe shërbime që në fakt nuk ishin kryer.
Pas një procesi të suksesshëm ekstradimi, 42-vjeçari mbërriti në Shqipëri dhe menjëherë iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të përballuar drejtësinë.
Policia e Shtetit thekson angazhimin maksimal në bashkëpunimin ndërkombëtar për të gjetur, kapur dhe ekstraduar të gjithë shtetasit shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga përgjegjësia ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



