Elbasan – Zërat e fëmijëve ndezin festivalin, të vegjlit emocionojnë me këngë dhe ëndrra të mëdha
Në qytetin e Elbasanit, edicioni i 10-të i Festivalit të Interpretuesve të Këngës për fëmijë solli në skenë zërat e pastër të të vegjëlve nga mosha 3 deri në 13 vjeç.
Publiku i përbërë nga prindër dhe artdashës u bë pjesë e një mbrëmjeje të mbushur me emocion dhe duartrokitje. Fëmijët performuan drejtpërdrejt këngë shqiptare dhe të huaja, duke shfaqur talent dhe pasion të jashtëzakonshëm për muzikën.
Festivali është një mundësi e veçantë për ta dhe emocionet në skenë janë të paharrueshme.
“Gjithsej janë 52 fëmijë që konkurrojnë dhe është vërtet për t’u habitur sesi një qytet kaq i vogël ka kaq shumë fëmijë që këndojnë,” thotë kompozitori Hamit Skilja, njëherësh anëtar jurie.
Festivali vlerësohet për vazhdimësinë dhe rolin që luan në evidentimin e talenteve të rinj.
“Ky festival është në vazhdën e aktiviteteve të shumta që kjo Qendër zhvillon për evidentimin dhe vijimësinë e talenteve të reja,” shprehet drejtuesi artistik Liman Tërnova.
Organizimi i festivalit përballet me sfida, por shpërblehet nga energjia e fëmijëve dhe mbështetja e prindërve.
Ky aktivitet është tashmë një traditë kulturore që rrit brezin e ardhshëm të artistëve me dashurinë për skenën dhe muzikën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




