Elbasan – Zjarr në Kodër-Krastë, shërbimet zjarrfikëse izolojnë zonën

Një vatër zjarri është shfaqur mesditën e sotme në një nga pikat më të larta të masivit me pisha në zonën e Kodër-Krastës, në periferi të qytetit të Elbasanit.
Zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta, erës dhe terrenit të thyer të zonës.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt sipërfaqeve të tjera pyjore.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që po vijon monitorimi dhe vlerësimi i situatës në terren nga strukturat përkatëse.
Gazetari i RTSH-së, Enes Molla, nga vendngjarja raportoi se gjatë orëve të fundit të mesditës është vënë re një vatër zjarri, e cila ka pasur një përhapje të madhe në këtë zonë.
Pavarësisht kësaj, zjarri është nën kontrollin e zjarrfikësve të qytetit të Elbasanit.
“Vatra e zjarrit ndodhet pranë një objekti kulti, ku besimtarë të ndryshëm ndezin qirinj. Policia po heton nëse shkak për këtë vatër zjarri mund të jetë ndonjë person që ka ardhur në këto ambiente. Për shkak edhe të erës së fortë që ka sot në këtë zonë, zjarri që ka rënë në Kodër-Krastë po përhapej me shpejtësi në një pjesë të madhe, por falë ndërhyrjes së shpejtë të punonjësve të zjarrfikëses, po punohet me forca të shumta për të shuar këtë vatër. Zjarrfikësit janë duke punuar, pavarësisht terrenit tepër të vështirë. Fatmirësisht, situata është nën kontroll dhe po punohet për të izoluar këtë zonë zjarri.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



