Elbasani çel festimet për Ditën e Verës me panaire, karnavale dhe show dronësh. Llatja: Festa në çdo cep të qytetit

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, ka bërë të ditur se qyteti ka nisur më herët festimet për Ditën e Verës, me një sërë aktivitetesh të organizuara gjatë gjithë muajit.
Ai u shpreh se që në fillim të marsit janë zhvilluar aktivitete për fëmijët, ndërsa sheshi kryesor i qytetit është zbukuruar me lule, dekorime pranverore dhe ngjyra festive për të krijuar atmosferën e kësaj dite të veçantë për elbasanllinjtë.
“Këtë vit Dita e verës ka nisur më herët, kemi filluar që në fillim te muajit me aktivitete për fëmijë, me sheshin kryesor të qytetit i cili ka marrë ngjyrat e pranverës me zbukurime, lule dhe të gjithë hijeshinë e tij për ti dhënë më shumë ritëm kësaj dite dhe për ta pritur ashtu siç dinë elbasanllinjtë ta presin. Kemi një sërë aktivitetesh sepse Dita e Verës festohet vetëm në Elbasan”, u shpreh kryetari i Bashkisw.
Sipas Llatjës, sot hapen disa panaire tradicionale, si panairi i ballokumeve, panairi i zejeve dhe panairi bujqësor, ky i fundit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Gjithashtu, janë planifikuar aktivitete të shumta me shkollat e qytetit.
Festimet do të nisin që në mbrëmjen e 13 marsit me aktivitete në sheshin kryesor të qytetit, ku do të ketë skenografi të veçantë me drita dhe dekorime, si dhe një shfaqje me dronë. Në skenë do të performojnë edhe këngëtarë të njohur për publikun.
“Sot hapim një sërë panairesh si ai i ballokumeve, i zejeve, panairi bujqësor i cili bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Do të kemi një aktivitet të madh me shkollat. Sot do të kemi një sër aktivitetesh në dark, sepse në Elbasan festa fillon që në 13 mars në dark me aktivitete në sheshin kryesor të qytetit, do të kemi një skenografi të bukur në qytetin e Elbasanit me drita dhe zbukurime, për të vazhduar më pas dhe me shown e dronëve. Do të kemi këngëtar që do të perforjmë në shesh. Nesër e fillojmë herët me karnavalet e qytetit, ku shkollat janë përgatitur prej kohësh, për të vazhduar më pas me një sër panairesh të tjerë, ekspozita etj. do të ketë jetë në çdo cep të qytetit”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



