Spiropali: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese forcojnë shtetin e së drejtës, në tetor konferencë ndërkombëtare për Reformën në Drejtësi

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e pranishme në prezantimin e Vëllimit të Dytë të “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, tha se Shqipëria ndodhet sot “në një momentin të rëndësishëm historik në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike”.
Spiropali bëri me dije se në tetor të këtij viti do të mbahet edhe një Konferencë Ndërkombëtare me fokus Reformën në Drejtësi.
“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm: Në tetor 2025, me rastin e 70-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 Korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë në Tiranë një konferencë ndërkombëtare, e cila do të fokusohet në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe drejtësinë kushtetuese”, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja vlerësoi si “kyç” rolin e Gjykatës Kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës, ndërsa shtoi se Kuvendi do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi.
“Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, forcimin e kushtetutshmërisë, zbatimin e ligjit, luftën ndaj pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, për një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe profesionale, të ndërtuar mbi fakte, prova dhe standarde ligjore, integritet jo mbi perceptime apo interesa.
Transformimi i sistemit të drejtësisë duhet të përkthehet në përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, garantimin e sigurisë juridike dhe uljen e kohës së trajtimit të çështjeve, një sfidë që kërkon angazhim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm”, deklaroi ajo.
Spiropali theksoi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese në formimin e shtetit të së drejtës.
“Vendimet e GJK janë edhe një kontribute të forcimit të shtetit të së drejtës në tërësi. Ky vëllim vijon punën e nisur me botimin e parë dhe ofron në instrument të vlefshëm për kuptimin, analizën dhe zbatimin e vendimeve kushtetuese në praktikën institucionale dhe ligjore të vendit tonë”, tha kryetarja e Kuvendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




