Erblira Bici, nisje bindëse sezonit të ri

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Volejbollistja shqiptare , Erblira Bici, i ka bërë një nisje shumë të mirë sezonit të ri në nivelin e dytë të kampionatit italian të femrave, në Serinë A2, duke e ndihmuar skuadrën e saj, Romën, drejt korrjes së dy fitoreve radhazi në këto dy java të para të sezonit të ri. Kapitenia e Kombëtares kuqezi, e cila u zhvendos tek skuadra e kryeqytetit italian gjatë verës, ka spikatur në dy sfidat e para të sezonit dhe në takimin e parë, të zhvilluar në fushën e Sant’ Elias, duke realizuar 15 pikë nga 58 pikë që realizoi Roma, teksa 18 pikë erdhën nga gabimet e kundërshtareve, në fitoren në 3 sete dhe duke u shpallur edhe “Lojtarja më e Mirë” (MVP) e asaj ndeshjeje.

Ndërkaq, në takimin e dytë, të zhvilluar në fushën e vet në fundjavë, Roma ka mposhtur në 4 sete San Xhovanin e Marinjanos dhe 27-vjeçarja ka spikatur sërish, duke realizuar plot 22 pikë, nga 76 pikë që skuadra e saj realizoi në këtë ndeshje, ku 25 pikë erdhën falë gabimeve të kundërshtareve. 37 pikët e realizuara gjithsej në dy javët e para e kanë bërë volejbollisten kuqezi të renditet midis 9 shënueseve më të mira të Serisë A të rrjetës italiane, aty ku Roma ndan kreun e renditjes me Montekion, me pikë të plota, duke vendosur edhe kandidaturën e saj si pretendente për t’u ngjitur në nivelin më të lartë të kampionatit të volejbollit të femrave në Apenine.

Duhet theksuar se nga këto 37 pikë, 3 prej tyre Bici i ka shënuar direkt nga shërbimi, kurse 7 të tjera nga loja në bllok. Sfida e radhës për Romën e Bicit është ajo e javës së 3-të, ku skuadra kryeqytetase do të jetë mysafire më 6 nëntor në fushën e Marsala Volejit.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme