Erzeni dhe Tirana, edhe njëherë për titullin

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Rrjeta shqiptare e meshkujve do të luajë sonte duelin e 4-t të “play-off”-it final të titullit në Superligën e Kampionatit Kombëtar të Meshkujve, teksa Erzeni dhe Tirana do të zbresin në parketin e Arenës Sportive “Dhimitraq Goga” të Durrësit me synime të kundërta. Në fakt, në fillim u duk si një rrugë me një kalim kjo betejë finale, pasi bardheblutë e trajnerit Ben Sako vendosën diktatin e tyre në dy ndeshjet e para. Tirana e mbylli në 3 sete takimin e parë në kryeqytet, në mbrëmjen e 21 prillit, duke vijuar 3 ditë më pas, më 24 prill, të lëshojë një set, por ta fitojë sidoqoftë edhe duelin e dytë në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga”, duke triumfuar 3-1 me sete ndaj shijakasve.

Kjo bëri që atmosfera në kampin bardheblu të arrinte nivele maksimale euforie, teksa Tirana erdhi në takimin e 3-të, të zhvilluar në kryeqytet më 27 prill, duke menduar më tepër për festën e titullit, sesa për ndeshjen. Dhe, sikundër e kishte paralajmëruar para ndeshjes edhe vetë trajneri Sako, skuadra e tij e ka paguar euforinë e tepërt, teksa Erzeni e ka fituar ndeshjen 3-1 me sete, duke e zgjatur kështu betejën e titullit, të paktën edhe për një ndeshje.

Atë që do të luhet sonte në fushën e Erzenit dhe ku skuadra shijakase vjen me moral të lartë, ndërsa ajo kryeqytetase duhet të dëshmojë se ka nxjerrë mësime nga humbja në ndeshjen e 3-të dhe se nuk mund ta marrë të mirëqenë çështjen e titullit. Të gjitha këto bëjnë që beteja e sotme të premtojë për spektakël dhe drithërima dhe gjithçka do të vijë drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë në kanalin RTSH duelin që nis në ora 19:00.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme