Europiani i të rriturve, peshëngritja në sulm

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Kampionati Europian i të rriturve në Peshëngritje, që do të zhvillohet nga 25 maj – 5 qershor në sallën olimpike “Feti Borova”, por dhe Kampionati Europian i të rinjve në tetor ka angazhuar të gjithë organizmat sportiv për një zhvillim perfekt të këtyre dy aktiviteteve ndërkombëtare të shtangës. Jo më kot, gjatë së hënës në Tiranë ka qenë i pranishëm presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Konfliti, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Milan Mihajloviç dhe Drejtorin e Thesarit, Astrit Hasani. I pari i peshëngritjes shqiptare, Elez Gjoza, në një intervistë për RTSH Sport shpjegon se si shtanga kuqezi bindi ndërkombëtare për dy aktivitete brenda një viti.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që në një vend të Europës të zhvillohen brenda një viti dy kampionate nga një shtet, pasi Federata Europiane e Peshëngritjes ka vetëm tre aktivitete, pra dy i ka marrë Shqipëria. Nuk është rastësi, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka krijuar një garanci dhe një mirëkuptim me Federatën Europiane të Peshëngritjes, dhe institucionet shqiptare, shteti shqiptar, e jep këtë garanci dhe Federata Europiane e pa të arsyeshme që dy aktivitetet të zhvillohen në Tiranë”.

A është ky Kampionat Europian të rriturish edhe si një shpagim për ikjen e të njëjtit aktivitet më 2018-ën nga Tirana në Bukuresht?

“Nuk mund të them se ishte një farë borxhi, mund të ishte një farë penaliteti, pasi unë dhashë dorëheqjen në atë kohë dhe nuk mund të zhvillohej aktiviteti. Ky Europian ka dicka të vecantë, është i 100-ti, është jubilar për Federatën Europiane të Peshëngritjes, të cilin e adresojnë në Shqipëri”.

Por më shumë se kaq, dy Europiane për të treguar se të gjithë janë të aftë dhe për një Botëror të rriturish. Gjoza e ka këtë bindje.

“Në 2023-shin, po në Tiranë, do të zhvillohet për herë të parë Botërori U20, U23. Unë them që në 2024-ën do jemi favorite kryesorë për organizimin e Botërorit për të rritur”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme