Eurovision Song Contest 2026 çel nesër siparin, Agostini: Atmosferë fantastike në Vjenë, Alis në qendër të vëmendjes

Kulturë | 6 muaj më parë

Eurovision Song Contest 2026 nis nesër, më 12 maj, duke rikthyer vëmendjen e gjithë Europës te spektakli më i madh muzikor i kontinentit.

Në këtë edicion jubilar, Shqipëria do të marrë pjesë me këngëtarin Alis Kallaci, i cili do të ngjitet në skenën e madhe më 14 maj për të interpretuar këngën “Nan”, një performancë që premton emocion, thellësi vokale dhe ndjeshmëri artistike.

Sakaq, delegacioni shqiptar tashmë ka mbërritur në Vjenë, në mbështetje të këngëtarit përfaqësues të Shqipërisë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga kryeqyteti austriak, gazetarja Sonila Agostini, pjesë e ekipit shqiptar, tregoi se në ditët e para të festivalit mbizotëron një atmosferë entuziazmi dhe mikpritjeje të jashtëzakonshme.

Duke komentuar ceremoninë e tapetit turkez të Eurovision Song Contest 2026, gazetarja Sonila Agostini u shpreh se eventi u shndërrua në një paradë emocionesh, ngjyrash dhe prezantimesh unike, ku 35 vende pjesëmarrëse parakaluan përpara mediave ndërkombëtare dhe mijëra fansave nga e gjithë bota, ndërsa  theksoi se Alis ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe mediave të huaja.

“Mbrëmjen e djeshme u organizua tapeti i kaltër, jo tapeti i kuq që jemi mësuar të shohim zakonisht, pasi sponsori kryesor i Eurovizionit 2026 në Vjenë kishte vendosur që ngjyra e tapetit të ishte në ngjyrën e gurkalit, ose ‘turkez'”, siç e njohim ne,” u shpreh ajo.

Sipas gazetares, Alis ishte ndër artistët që tërhoqi më shumë vëmendje nga media gjermane, austriake, franceze dhe italiane, të cilat kërkuan intervista dhe detaje mbi mesazhin e këngës “Nan”,

Për gazetaren, një nga momentet më emocionuese për ekipin shqiptar ishte mbështetja e vullnetarëve austriakë me origjinë shqiptare, kryesisht nga Kosova, të cilët janë angazhuar në organizimin e festivalit dhe po ndihmojnë nga afër delegacionin shqiptar në Vjenë.

Një tjetër surprizë emocionuese, tregoi ajo, ndodhi pas përfundimit të ceremonisë së tapetit turkez, kur disa artistë dhe pjesëtarë të delegacioneve të huaja nisën të këndonin në shqip këngën e Alis.

 “Ishte një moment shumë emocionues dhe nuk kishte gjë më të bukur sesa të dëgjoje artistë nga vende të ndryshme të këndonin në gjuhën tonë,” tregoi Agostini.

Ajo ndau edhe emocionet e para sapo mbërriti në aeroportin e Vjenës, ku tabela mirëseardhjeje në gjuhë të ndryshme kishin rezervuar vend të veçantë edhe për Shqipërinë.

“Sapo zbrita në aeroportin e Vjenës, pashë tabela të vendosura me mbishkrime në gjuhë të ndryshme dhe tabela e parë që më ra në sy ishte ajo e Shqipërisë. ‘Mirë se vini në Vjenë’, shkruhej në shqip, dhe nuk kishte gjë më emocionuese se sa të shihje një qytet kaq të madh si Vjena ta pasqyronte me kaq seriozitet dhe korrektësi këtë event kaq të rëndësishëm kulturor”, tha ajo.

Motoja e këtij viti, “Muzika i bashkon të gjithë”, duket se po reflektohet më shumë se kurrë në atmosferën e krijuar në kryeqytetin austriak, i cili këto ditë është shndërruar në një qendër botërore të muzikës dhe kulturës europiane.

Ndërkohë, për ekipin shqiptar fokusi kryesor mbetet performanca e 14 majit, datë në të cilën Alis do të konkurrojë në skenën e Eurovisionit.

Në emër të delegacioni shqiptar, gazetarja u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të mbështesin këngën “Nan” përmes votimit.

Për publikun shqiptar, Eurovision Song Contest 2026 do të transmetohet drejtpërdrejt më 12, 14 dhe 16 maj në në RTSH1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana duke premtuar një spektakël të paharrueshëm për miliona shikues.

Udhëzuesi i votimit, si ta mbështesim Shqipërinë?

Rregullat e Eurovision nuk lejojnë votimin nga brenda territorit të vendit përfaqësues, çka e bën diasporën faktorin kryesor për kualifikim.

Për ata që ndodhen në shtetet pjesëmarrëse (gjysmëfinalja e dytë)

Nëse ndodhesh në një nga shtetet pjesëmarrëse në natën e dytë të gjysmë finales, me 14 maj, voto me kodin 13 me numrin përkatës të vendit ku ndodhesh gjatë kohës që hapet televotimi.

Për ata që ndodhen në shtetet jo pjesëmarrëse

Nëse ndodheni në një vend që nuk merr pjesë në këtë edicion të festivalit, sërish mund ta jepni kontributin tuaj. Organizatorët kanë vënë në dispozicion platformën zyrtare esc.vote, ku mund të votoni online lehtësisht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme