Eurovizion 2026/ Alis tërheq vëmendje me paraqitjen e tij në ceremoninë e hapjes, pritje e ngrohtë në paradën e 35 shteteve në tapetin turkez

Kulturë | 6 muaj më parë

Tapeti turkez i Eurovision Song Contest 2026 u shndërrua në një paradë ngjyrash, emocionesh dhe prezantimesh unike, ku 35 vende parakaluan përpara mediave ndërkombëtare dhe fansave nga e gjithë bota.

Në këtë atmosferë festive nuk mungoi as Shqipëria, e përfaqësuar këtë vit nga Alis Kallaci, i cili tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e tij elegante dhe plot identitet.

Artistit shqiptar iu rezervua një pritje e ngrohtë nga publiku, ndërsa ai u shfaq i buzëqeshur dhe plot energji, duke dhënë intervista për mediat e huaja dhe duke folur për këngën e tij “Nan” një këngë me ngarkesë emocionale dhe elementë të fortë tradicionalë shqiptarë të ndërthurur me tinguj modernë.

Përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovision Song Contest këtë vit vjen pas një rrugëtimi që nisi në Festivali i Këngës në RTSH, ku Alis u shpall fitues dhe siguroi biletën për në skenën më të madhe europiane të muzikës.

Kënga “Nan” është pritur pozitivisht si nga publiku vendas ashtu edhe nga fansat e Eurovision-it, duke u konsideruar si një nga prurjet më autentike të këtij edicioni.

Këtë vit, pritshmëritë janë të larta për Alis Kallacin, i cili synon të çojë Shqipërinë drejt finales së madhe dhe të lërë gjurmë me një performancë që premton të jetë një ndër më të veçantat e këtij edicioni.

Me një kombinim të traditës dhe modernes, Shqipëria vjen në Eurovision 2026 më e sigurt se kurrë në identitetin e saj artistik dhe tapeti turkez ishte vetëm fillimi i këtij rrugëtimi emocionues drejt skenës së madhe.

Paradën e Alis mund ta shihni në minutën 7:25.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme