Fabio Kuartararo shpallet kampion bote

Niveli më i lartë i Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto Xhi-Pi ka kurorëzuar Fabio Kuartararon si kampionin e ri të botës, pasi piloti francez i “Jamaha”-s e ka siguruar një gjë të tillë dy gara para fundit të këtij sezoni. Në fakt, përtej një gara të jashtëzakonshme të vetë 22-vjeçarit, që erdhi nga vendet e fundit për të marrë vendin e 4-t në finish, teksa e humbi podiumin vetëm në fund kundrejt Enea Bastianinit, triumfi i tij erdhi më tepër si një dhuratë e bërë nga rivali i tij për titull, Françesko Banjaja.
Ky i fundit u nis nga vendi i parë të dielën në garën e Çmimit të Madh të Italisë, duke mbizotëruar në pistën e Emilja-Romanjas, dhe duke kryesuar, ndonëse i ndjekur gjatë gjithë kohës nga Mark Markezi. Dhe ndërkohë që Kuartaro vijonte marshimin e tij në prapavijë, duke e rritur epërsinë në krye të renditjes së përgjithshme të pilotëve, dukej se çështja e titullit do të shtyhej për të paktën një garë, për t’u zgjidhur në Portugali.
Por një gabim i pafalshëm i pilotit italian të “Dukati”-t, Francesko Banjajës, i cili, pa asnjëlloj presioni nga Markez, ka rrëshkitur në xhiron e 23-të, pra vetëm 4 xhiro para fundit, duke i dhuruar fitoren e kësaj gare pilotit spanjoll të “Hondës”. Por më shumë se kaq, Banjaja i ka dhuruar edhe titullin e “kampionit të botës” Fabio Kuartararos, teksa hendeku midis tyre në renditje është 68 pikë, teksa kanë mbetur edhe 50 pikë lojë.
Kështu, Kuartararo bëhet francezi i parë që shpallet “kampion bote” në Moto Xhi-Pi dhe i 16-ti që e ka bërë këtë pa u shpallur fitues në dy nivelet më të ulëta të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




