Fest 61/ Heronjtë e heshtur që shpëtuan jetë, emocionojnë skenën e muzikës shqiptare

Kulturë | 4 vite më parë

Nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTSH sjell emocione nga ngjarje që janë përjetuar nga secili prej nesh. E tillë ishte edhe ngjitja në skenën e madhe të muzikës shqiptare të dy heronjve të heshtur, Robert Neçaj dhe Shkëlzen Lamuça.

Të dy emra të njohur për heroizmat duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve. 

“Janë njerëz të thjeshtë që me kontributin e tyre kanë frymëzuar të gjithë ne dhe meritojnë mirënjohje”, tha Arbana Osmani.

Robert Neçaj, vrojtues plazhi, ishte heroi që shpëtoi jetën e dy fëmijëve nga Kosova në plazhin e Shëngjinit duke rrezikuar të tijën. Ai përfundoi në koma dhe u zgjua pas disa orësh. Edhe Shkëlzen Lamuça, zjarrfikësi hero, shpëtoi jetën dy vajzave të vogla pas zjarrit që ra në një pallat në zonën e Astirit. 

Heroizmat e tyre janë nderuar në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, duke u shprehur mirënjohjen e gjithë qytetarëve.

Neçaj: Ju falënderoj që vlerësoni punën tonë dhe na motivoni.

Lamuça: Vlerësimi dhe është motivim për ne. Ndjej shumë emocion po aq sa kur shpëtova dy vajzat e vogla nga flakët.

Një tjetër emër që u ngrit në skenë ishte edhe Jamarbër Hoxha, një fëmijë me çrregullim të Spektrit të Autizmit.

Jamarbër është një fëmijë me histori unike i cili shkruan poezi dhe lexon Shekspirin edhe pse vetëm 11-vjeç, ndërsa sot nga skena e madhe e festivalit lexoi një mesash për nënën e tij dhe të gjithë prindërit që përballem me fëmijët që vuajnë nga çrregullime të tilla.

“Autizmi është një shqetësim i pashprehur dhe një gjë ndryshe nga të tjerat. Kam nisur të heq tentakulat e autizmit me punën që bëj, kam një instruktor shumë të mirë”, tha Jamarbër.

Ky ishte një mesazh për të gjithë prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta që t’i kuptojmë dhe t’i mbështesim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme