Festa e Kurban Bajramit kremtohet në Lezhë, besimtarët falin namazin në xhaminë e qytetit
Festa e Kurban Bajramit është kremtuar edhe në qytetin e Lezhë, ku dhjetëra besimtarë myslimanë u mblodhën në xhaminë e qytetit për të falur namazin e kësaj dite të shenjtë. Në një atmosferë paqeje, harmonie dhe solidariteti, besimtarët përcollën urime dhe lutje për më shumë begati, mirësi dhe mirëkuptim mes njerëzve.
Ceremonia fetare u drejtua nga myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, i cili gjatë fjalës së tij theksoi simbolikën e veçantë që mbart Kurban Bajrami. Ai u ndal te rëndësia e sakrificës, dashurisë dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, duke e cilësuar këtë festë si një moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve.
“Kjo është një festë e begatë që na tregon sakrificën që duhet të bëjmë për njëri-tjetrin, për të mirën dhe mirëqenien e përbashkët. Dashi është simbolika e Kurban Bajramit, ku duhet të bëjmë sakrificë për të mirën e përbashkët dhe harmoninë në mbarë njerëzimin”, u shpreh myftiu Sadetin Kotrri.
Ai përcolli gjithashtu mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkimi, duke nënvizuar rëndësinë shpirtërore të kësaj feste dhe rolin që ajo luan në forcimin e besimit dhe të lidhjeve familjare e shoqërore.
Pas përfundimit të faljes së namazit, besimtarët uruan njëri-tjetrin për festën, ndërsa më pas vijuan me vizitat tradicionale në familje dhe tek të afërmit, duke ruajtur kështu traditën dhe frymën e Kurban Bajramit.
Kurban Bajrami konsiderohet një nga dy festat më të mëdha të besimit islam dhe simbolizon sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, mirësinë dhe ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



