Festa e Kurban Bajramit, politika uron besimtarët myslimanë

Sociale | 2 vite më parë

Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin festojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman, ndërsa urime kanë ardhur edhe nga politika.

Kreu i shtetit Bajram Begaj, uron besimtarët përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se kjo ditë shërben edhe si reflektim për gjithsecilin, që bën të mundur një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë.

“Përzemërsisht i uroj Kurban Bajramin besimtarëve myslimane shqiptarë! Kurban Bajrami bart mesazhin e sakrificës sublime  duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë.  Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi. Vetëm ky reflektim i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë.  Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin!”, shkruan Begaj.

Po ashtu edhe kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët përmes një postimi në Facebook, ku shkruan: “Gëzuar Kurban Bajramin”.

Edhe kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, uroi besimtarët, teksa shkroi në Facebook: “Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, uroj besimtarët myslimanë dhe qytetarët që festojnë e ndajnë me ta harenë e kësaj dite të bukur. Kjo ditë na frymëzon që dashurinë për Zotin ta kemi edhe për njëri-tjetrin, sakrificën në emër të besimit ta bëjmë pjesë të jetës, përkushtimin ndaj Zotit ta tregojmë edhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!”

Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhynte, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme