“Festa e Mollës” në Korçë, fermerët flasin për prodhim mjaft cilësor

Sociale | 2 vite më parë

Qarku i Korçës është një prej prodhuesve më të mëdhenj të mollës në vend, ndaj edhe për të disatin vit radhazi është organizuar festa e mollës. Kjo festë ashtu si është bërë traditë prej vitesh ka zënë vend të fshatin Dvoran të Korçës, aty ku fermerët kanë prezantuar varietete të ndryshme të këtij fruti të cilat prodhohen në këtë zonë.

“Festa e Mollës” në Dvoran është një mënyrë e mirë për të ekspozuar varietetet që kultivohen në këtë zonë, ndaj edhe bashkia e Korçës e ka mbështetur prej vitesh këtë organizim.

“Kjo festë i shërben krijimit të një atmosfere në zonën ku organizohet dhe me perspektiv mund të jenë pjesë e paketave turistike”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Molla e Korçës, mbetet e pakonkurrueshme në cilësi e shije ndaj dhe fermerët prodhues të këtij fruti synojnë zgjerimin e tregjeve të shitjes. Në qarkun e Korçës janë 3600 Ha të mbjella me mollë, ndërsa sivjet janë prodhuar rreth 80 mijë ton mollë. Sipas specialistëve këtë vit bëhet fjalë për një prodhim mjaft cilësor të këtij fruti, çka jep shpresë edhe për fitime më të larta për fermerët. Eventi bëri bashkë vizitorë e familjarë të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes festuan nën tingujt e muzikës, kërcimit dhe degustimit të ushqimeve tradicionale të zonës.

Gazetare: K.Koçi

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme