Festat, fluks i lartë udhëtarësh në Kakavijë, situata e qetë dhe pa problematika
Në këto ditë të festave të fundvitit, pika e kalimit kufitar të Kakavijës po përballet me një rritje të ndjeshme të fluksit të udhëtarëve, të cilët vijnë në Shqipëri për të kaluar festat pranë familjarëve dhe të afërmve, por edhe me lëvizje në drejtim të kundërt, të shtetasve që udhëtojnë drejt shtetit grek.
Gjatë 24 orëve të fundit, konkretisht më datë 26 dhjetor 2025, shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën Kufitare të Kakavijes kanë përpunuar një numër të konsiderueshëm udhëtarësh dhe mjetesh. Sipas të dhënave zyrtare, janë përpunuar gjithsej 7472 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 5300 shtetas në hyrje në territorin shqiptar dhe 2172 shtetas në dalje.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2340 mjete në hyrje-dalje, ku 1607 mjete kanë hyrë në Shqipëri dhe 733 mjete kanë dalë nga vendi.
Për të përballuar fluksin e lartë dhe për të shmangur krijimin e radhëve apo vonesave, nga pala shqiptare po punohet me 4 sportele në hyrje dhe 3 sportele në dalje, duke garantuar përpunim të shpejtë dhe të rregullt të dokumenteve.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë këtyre 24 orëve situata në këtë pikë kufitare ka qenë e qetë dhe pa problematika, ndërsa shërbimet e Policisë Kufitare vijojnë punën me intensitet të shtuar për të garantuar një kalim sa më normal dhe të sigurt për qytetarët.
Në kuadër të masave të marra për festat e fundvitit, Policia Kufitare ka shtuar numrin e shërbimeve në terren, ka riorganizuar turnet e punës dhe është në gatishmëri të plotë për menaxhimin e flukseve të pritshme në ditët në vijim. Po ashtu, në bashkëpunim me autoritetet homologe greke, po punohet për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur bllokimet në pikën kufitare.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të planifikojnë udhëtimet, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të kenë dokumentacionin e nevojshëm, ndërsa fluksi i lëvizjeve pritet të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




