Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, Tafa: Publiku ka treguar interes, pas 14 vitesh kemi një pasqyrë të re të kinemasë

Kulturë | 2 muaj më parë

Në ditën e pestë të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, përgjegjësja e sektorit të promovimit të kinematografisë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, Majlinda Tafa, deklaroi se interesi i publikut ka qenë i kënaqshëm. E ftuar në studion e RTSH24, Tafa foli për rikthimin e festivalit pas 14 vitesh mungesë, për filmat e përfshirë në këtë edicion dhe hapësirën që u është krijuar autorëve të rinj dhe produksioneve të pavarura.

“Interesi ka qenë i mirë. Jemi të kënaqur për këtë. Megjithëse shfaqjet dhe projeksionet ndodhin që nga mëngjesi i herët deri në natën e vonë, natyrisht komuniteti është pjesë shumë e madhe e ndjekësve dhe, mbi të gjitha, publiku, të cilët janë informuar nëpërmjet mediave dhe të gjithë atyre që kanë prodhuar filma në këto vite dhe dëshirojnë ta risjellin filmin e tyre pranë publikut shqiptar”, deklaroi Tafa.

Sipas saj, ky edicion i festivalit ka një rëndësi të veçantë, pasi rikthehet pas një periudhe të gjatë dhe përfshin një diapazon më të gjerë të zhvillimit të kinemasë shqiptare, duke pasqyruar njëkohësisht edhe ndryshimet që ka kaluar shoqëria. Tafa theksoi se rikthimi i festivalit pas 14 vitesh ka krijuar një panoramë interesante të autorëve, regjisorëve dhe produksioneve shqiptare, por mbi të gjitha të historive që janë rrëfyer përmes filmit.

“Ky edicion, siç e thatë ju, i 14-ti, ka një risi në ndryshim të edicioneve të tjera, të cilat kanë ndodhur zakonisht njëherë në gjashtë vjet, vitet e fundit pesë vjet, gjashtë vjet, për faktin që mbulon një periudhë më të gjatë. Tregon, natyrisht, pasqyron një diapazon shumë më të gjerë të kinemasë shqiptare, të ndryshimeve, por edhe të shoqërisë, të cilat janë, të themi, të pasqyruara në historitë që ndodhin në film. Kështu që në këtë festival, ndoshta si në asnjë nga edicionet e tjera, për hir edhe të faktit që ka ndodhur pas kaq vjetësh, kemi një pasqyrë shumë interesante jo vetëm të autorëve, të regjisorëve dhe produksioneve, prodhimeve shqiptare, por për më tepër të historive të rrëfyera dhe të ndryshimit social që ka kaluar Shqipëria në këto 13 vjet”, deklaroi ajo.

Duke folur për pjesëmarrjen e filmave të pavarur dhe autorëve të rinj, Tafa tha se në festival janë përfshirë edhe produksione të realizuara me financime jashtë skemave tradicionale të mbështetjes shtetërore. Megjithatë, sipas Tafës, financimi i një filmi vetëm përmes burimeve private mbetet i vështirë për shkak të kostove të larta të prodhimit kinematografik.

“Në festival janë të paraqitur edhe shumë filma të cilët janë prodhuar me financime të tjera, të cilat nuk janë pjesë, të themi, e sistemit të mbështetjeve financiare shtetërore, siç është në këtë rast QKK-ja apo institucione të tjera që financohen tërësisht. Por pjesa kryesore e festivalit mbeten filmat e prodhuar me mbështetjen e QKK-së, që janë dhe filmat në konkurrim. Fatkeqësisht, kjo është pjesa dërrmuese e filmave për arsyen e thjeshtë se filmi është një produkt që kushton shumë, është shumë e vështirë për t’u financuar me burime personale apo individuale. Kështu që është shumë e vështirë për shumë autorë të arrijnë, të themi, të kapërcejnë anën financiare të një projekti vetëm me financime private”, u shpreh Tafa.

Ajo shtoi se kjo mënyrë financimi nuk është specifike vetëm për Shqipërinë, pasi edhe në Evropë projektet kinematografike mbështeten në një masë të konsiderueshme përmes fondeve publike. Në ditën e pestë të festivalit, Tafa e cilësoi këtë aktivitet si një mundësi për të afruar kinemanë shqiptare me publikun dhe për të vlerësuar punën e autorëve që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e saj.

Përtej konkurrimit dhe çmimeve, festivali synon të krijojë ura komunikimi mes kinematografisë shqiptare dhe publikut, si dhe të afrojë brezin e ri me industrinë e filmit. Pas një periudhe mungese, rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar është më shumë se një kalendar projektesh, që këtë vit sjell Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) si partner kryesor mediatik. Është rikthimi i një hapësire ku filmi shqiptar shihet, diskutohet dhe vlerësohet. Dhe ndërsa ekranet vijojnë të ndizen në Tiranë, festivali vijon të përcjellë të njëjtin mesazh: kinemaja shqiptare ka histori për të treguar, por mbi të gjitha ka ende shumë histori për t’u parë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme