Figura e Xhafer Devës, ja çfarë tregon Nexhmedin Spahiu
Në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon u diskutua lidhur me figurën e Xhafer Devës.
Sipas politologut Nexhmedin Spahiu, në Kosovë, Deva është një hero. Ai tha se rilindësit shqiptarë e kishin ëndërr që të gjitha trojet shqiptare t’i fusnin në një shtet dhe kjo u arrit nëpërmjet kësaj figure historike, që u bë edhe themeli i nacionalizmit kosovar.
Pjesë nga fjala e Nexhmedin Spahiut
Po patjetër që është e padrejtë dhe është e natyrshme sepse [Xhafer Deva] ka qenë armiku më i madh i Enver Hoxhës dhe e natyrshme që figura e tij është nxjerrë më së shumti e aq më tepër që nga vdekja e Mit’hat Frashërit vitin 1949 deri në vitin 1953, Xhafer Deva ka qenë favorit i amerikanëve dhe i anglezëve për kryeministër të Shqipërisë. E natyrshme që Enver Hoxha e ka pasur armikun numër një. Dhe atë, jo vetëm gjatë kësaj periudhe që ishte e rëndësishme, por edhe gjatë periudhës së luftës civile në Shqipëri, në vitin 1943 -’44 ku ishte politikani më i vetëdijshëm për rrezikun nga komunizmi, siç ishte thonë shumë veta. Xhafer Deva vërtet bashkëpunoi me gjermanët. Ai ishte një antifashist, e para… dhe ishte një antiitalian.
Nëse keni vërejtur një video në internet, ku aty para sheshit të tanishëm “Nënë Tereza”, bëhet një paradë ushtarake dhe të gjithë ushtarakët dhe civilët përshëndesin me atë shenjën e Hitlerit. I vetmi ishte Xhafer Deva, që nuk ngriti dorën të përshëndeste në mënyrë të tillë. Ai ishte më i vetëdijshëm për rrezikun komunist, nga gjithë klasa politike e atëhershme, në Kosovë dhe në Shqipëri.
Në Kosovë, Xhafer Deva është hero në rrugë, në Mitrovicë, në Prishtinë… në Gjakovë, mbajnë emrin e Xhafer Devës.
Në kohën kur në Serbi, qeveria pronaziste e Milan Nediqit e kishte shpallur Serbinë si i vetmi shtet në Evropë “Judenfrei”,që do të thotë i pastër nga hebrenjtë, Deva bëri çmos që t’i kursente hebrenjtë.
Është edhe një meritë tjetër: pas pushtimit italian, me dorëzimin e kurorës së mbretit, dalëngadalë u hoq Ministria e Jashtme, u hoqën ambasadat e Shqipërisë në botë. Të gjitha këto iu bashkëngjitën ambasadave të Italisë. Natyrisht, kur një shteti i merret pavarësia, i duhet ta rishpallë atë dhe rishpallja e pavarësisë së Shqipërisë u bë më 14 shtator të vitit 1943, pikërisht nga Xhafer Deva, Ibrahim Biçaku.
Xhaferi është kulmi i nacionalizmit shqiptar dhe është themeli i nacionalizmit kosovar. Është kulmi i nacionalizmit shqiptar për shkak se ai ishte i vetmi që arriti atë që ishte ëndërr e rilindësve shqiptarë. Rilindësit shqiptarë e kishin ëndërr që të gjitha trojet shqiptare t’i fusnin në një shtet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




