Forumi Ekonomik Botëror: Shqipëria, kampione në qëndrueshmërinë energjetike

Ekonomi | 1 vit më parë

Lajm i rëndësishëm vjen nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF), i cili ka shpallur renditjen e shteteve bazuar në tre komponentë kyç të zhvillimit energjetik.

Në një arritje të jashtëzakonshme, Shqipëria është pozicionuar në vendin e parë në kategorinë e qëndrueshmërisë energjetike, duke lënë pas vende me histori të gjatë dhe zhvillim të konsiderueshëm në këtë fushë si Suedia, Zvicra dhe Franca.

Ky vlerësim i lartë nga një prej forumeve ekonomike më prestigjioze në botë është pritur me krenari në Shqipëri.

“Ai shihet si një dëshmi e punës së palodhur dhe vizionit strategjik, veçanërisht në kontekstin e objektivit të shpallur nga qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama për ta kthyer vendin në një pol energjetik rajonal dhe eksportues neto.”, shkruan në rrjetet sociale zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas saj, arritje të tilla ndërkombëtare shërbejnë si motivim për të vazhduar angazhimin drejt projekteve të reja në sektorin e energjisë.

“Në një kohë kur rreziqet gjeopolitike ndikojnë thellësisht tregjet energjetike globale, sfida më e madhe mbetet kthimi i këtyre rreziqeve në mundësi strategjike për zhvillim dhe forcim të pozicionit energjetik të vendit.”, thekson Balluku.

Kjo renditje e WEF-it nënvizon progresin e Shqipërisë drejt një të ardhmeje energjetike më të sigurt dhe të qëndrueshme, duke dëshmuar efikasitetin e politikave të zbatuara dhe investimeve në sektor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme