Forumi i Shkupit, Ibrahimaj: “Open Ballkan” synon lehtësimin e tregtisë rajonale dhe zhvillimin ekonomik

Nisma “Open Ballkan” synon lehtësimin e tregtisë rajonale dhe zhvillimin ekonomik. Kështu deklaroi Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj gjatë fjalës së saj në Forumin Ekonomik të Shkupit.
Ministrja foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të iniciativës Open Ballkan, për të përmirësuar eficencën dhe liberalizimin e tregut të përbashkët, lëvizjen e kapitalit, të mirave dhe shërbimeve, si dhe lëvizjen e njerëzve.
“Filluam me procesin e Berlinit dhe tani vazhdojmë me procesin e ‘Ballkanit të Hapur’. Përpiqemi që të integrohemi sa më mirë dhe të rrisim eficencën e tregtisë mes nesh, për të shkuar drejt përfitimeve të globalizimit. Këto janë dhe shtylla të integrimit evropian dhe ajo çfarë po bëjmë është përpjekja për të përshpejtuar proceset dhe të bëhemi gati për integrimin në BE”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se në kuadër të “Open Ballkan” po diskutohet edhe mbi politikat fiskale që do të zbatohen në të ardhmen dhe se së shpejti do të nënshkruhet një Memorandum, në takimin që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Ohër.
Sipas Ibrahimajt, Shqipëria u përball me pandeminë pas krizës së tërmetit të vitit 2019, ku u ndërmorën disa politika monetare dhe fiskale për të minimizuar efektet në ekonomi. Ministrja përmendi se qeveria ndërmori disa masa të tjera, si ofrimi i garancive për bizneset, në mënyrë që bizneset të kishin mjaftueshëm likuiditet dhe të sigurohej vazhdimësia e aktivitetit ekonomik të tyre.
Zbatimi i këtyre politikave fiskale dhe monetare, tha Ibrahimaj, bëri të mundur që ekonomia e vendit të rikuperohej dhe të rritej me 8.5 % për vitin 2021.
Duke u ndalur në krizën aktuale, Ministrja Ibrahimaj tha se Shqipëria është aktualisht vendi i rajonit me normën më të ulët të inflacionit.
“Sfida më e madhe që ne kemi për momentin është të vazhdojmë të furnizojmë me stimuj fiskalë, që janë të parashikuar në buxhetin tonë, e sigurisht duke zvogëluar borxhin, të investojmë në ato fusha dhe sektorë që do të sigurojnë rritje dhe ndikojnë në qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike në të ardhmen”, tha Ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




