Fotografi i botës së egër, Sevdail Sulejmani: Liqeni i Shkodrës, destinacion i veçantë

Kulturë | 2 muaj më parë

Një aparat fotografik, durim dhe dashuria për natyrën. Këto janë mjetet me të cilat Sevdial Sulejmani, fotograf pasionant i botës së egër nga Kosova, udhëton në kërkim të momenteve të veçanta që ofron natyra. Prej disa vitesh Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna janë ndër destinacionet e tij të preferuara. Edhe këtë herë, ai ka qëndruar disa ditë në Shkodër  duke fotografuar biodiversitetin e pasur të zonës.

“Liqeni i Shkodrës është për ne ndoshta vendi që na ofron më së shumti mundësi të fotografojmë. Unë vij rregullisht disa herë në vit te zambakët te pelikanët kaçurrel. Kështu që këtë zonë besoj që e njoh edhe jam munduar ta eksploroj, por edhe ta prezantoj nëpër rrjetet sociale të cilat i përdor unë”, tha ai.

Sulejmani është bërë prej disa vitesh pjesë e tureve që fotografët e botës së egër zhvillojnë në zonën e Liqenit të Shkodrës dhe përgjatë lumit Buna. Nëpërmjet objektivit të tij ka fiksuar shpendë, peizazhe dhe momente të veçanta të jetës së egër që karakterizon këtë ekosistem.

Por krahas entuziazmit për natyrën, fotografi shpreh edhe shqetësimin për atë që ka konstatuar gjatë vizitave të tij, veçanërisht sa i përket ruajtjes së habitateve.

“Liqeni i Shkodrës ende është mjaft i pasur, mirëpo ka dhe tendencë të përkeqësohet. Prandaj është shumë e domosdoshme që ky liqen të ruhet, kjo pasuri të ruhet. Edhe tani me futjen e tij në UNESCO ndoshta do të kujdesemi më shumë, por duhet tw tregohet shumë më tepër kujdes”, shprehet fotografi.

Sevdail Sulejmani duket se do të vazhdojë të kthehet në Liqenin e Shkodrës sepse në këtë hapësirë mes ujit, shpendëve, bimësisë dhe peizazhit, çdo udhëtim mund të sjellë një fotografi të re, por edhe një arsye më shumë për të mbrojtur natyrën.

Gazetar: A.Hoti 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme