FOTOT- Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, Rama: Rikthehet ajri për komunitetin

Aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme vijoi tw enjten në kryeqytet, me ndërhyrjen e Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit. Operacioni synon largimin e pergolave, pedanave dhe instalacioneve të ndryshme që pengojnë aksesin e lirë të qytetarëve.
Policia njoftoi se ky aksion do të vijojë pa ndërprerje në të gjitha zonat ku konstatohen shkelje ligjore dhe pengesa për lëvizjen e qytetarëve. Autoritetet i bëjnë thirrje të gjitha subjekteve private që të lirojnë vullnetarisht hapësirat dhe të respektojnë rregullat e bashkëjetesës urbane.
Fokusi kombëtar dhe mbështetja e Kryeministrit
Ky aksion është pjesë e një nisme më të gjerë kombëtare, e cila vijon me intensitet në Tiranë dhe në bashkitë e tjera të vendit, pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama. Qëllimi është largimi i objekteve si tavolinat, karriget dhe tendat nga trotuaret, të cilat shpeshherë cenojnë sigurinë dhe lëvizjen e lirë të këmbësorëve.
Edhe kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Tirana, ku bizneset po çmontonin vetë strukturat që kishin zënë hapësirat publike.
“Edhe në Tiranë rikthehet ajri për komunitetin,” shkroi Rama, duke theksuar përpjekjen për të rikthyer funksionalitetin dhe estetikën e këtyre zonave për banorët.
Lirimi i hapësirave publike konsiderohet thelbësor për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe funksionalitetit të çdo biznesi, në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes. Kjo iniciativë shtrihet jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se aksioni do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror gjatë gjithë muajit korrik. Kjo përfshin lirimin e hapësirave në qytete, plazhe publike, si dhe hapësira të përbashkëta mes pallateve, me qëllim që të ofrohet më shumë hapësirë në shërbim të qytetarëve dhe të garantohet një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


























