Fqinjët konfliktohen dhe qëllohen mes tyre me armë zjarri, arrestohen dy persona në Shkodër. Sekuestrohen kallashnikov, municion dhe 4 kallëpe tritoli

Aktualitet | 4 muaj më parë

Një konflikt i armatosur mes dy fqinjëve në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër ka përfunduar me arrestimin e dy personave, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe katër kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ku në pranga u vunë N. L., 63 vjeç, dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë”.

Sipas hetimeve dyshohet se dy fqinjët janë konfliktuar për motive të dobëta dhe gjatë përplasjes kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së 63-vjeçarit, si dhe një automjet i parkuar në oborr.

Gjatë kontrollit në banesën e N. L., u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, e dyshuar se është përdorur gjatë konfliktit. Ndërkohë, në banesën e A. F. u gjetën municion luftarak dhe katër kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Për ngjarjen policia shpalli në kërkim edhe 26-vjeçarin A. F., banues në Shkodër. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk e ka kallëzuar ngjarjen.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si edhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme