Franca mbështet integrimin e Shqipërisë, ambasadorja Suard në Korçë në kuadër të Javës Franceze

Politikë | 1 vit më parë

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, vizitoi Korçën në Javën e Kulturës Franceze, duke qenë dy vende me lidhje të hershme mes tyre.

Në fjalën e saj, ambasadorja u shpreh se Korça me Francën kanë lidhje të ngushta historike e kulturore, ndërsa rikonfirmoi se shteti francez e mbështet rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Franca e mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE. Kjo është thënë edhe nga presidentin [Emmanuel] Macron gjatë vizitave të tij në Shqipëri dhe integrimi europian kalon jo vetëm përmes kulturës, por edhe përmes zhvillimit të territoreve, projekteve të bashkëpunimit territorial dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Dua të falënderoj dy kryetarët e bashkive për projektet që kanë në këtë fushë,” tha ambasadorja Suard.

Në aktivitet ishte i pranishëm dhe kryetari i bashkisë së Shomberisë, me të cilën bashkia e Korçës ka marrëveshje bashkëpunimi prej disa vitesh.

“Shqipëria është në Evropë dhe ne do e shoqërojmë çdo proces të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky realitet dhe kjo perspektivë europiane, e shoqëruar në nivele të larta politike, ka mbështetjen e qeverisë franceze. Mendoj se vend të rëndësishëm për integrimin në BE luajnë edhe institucionet territoriale, bashkitë, me qëllim që projektet mes vendeve të zhvillohen,” tha kryebashkiaku Thierry Repentin.

Java e Kulturës Franceze në Korçë ka ardhur me një larmi aktivitetesh, ndërsa u shoqërua edhe me një ekspozitë interactive digjitale si një përvojë unike.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme