“Fronti Opozitar” në skaner, Neza: PD duhet të krijojë sinergji përtej politikës

Politikë | 10 muaj më parë

Strategjia e opozitës për vitin politik 2026 dhe përpjekja për bashkimin e faktorëve kundër qeverisë ishte tema e diskutimit mbrëmjen e sotme në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH.

Analisti Sami Neza, i ftuar në studio, bëri një autopsi të tryezës së fundit të organizuar nga Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një hap cilësor, por që ende ka sfida madhore përpara.

Zgjerimi i bazës dhe “kapilariteti”

Sipas Nezës, risia e kësaj tryeze ishte gjerësia e pjesëmarrjes, duke përfshirë aktorë të shoqërisë civile dhe grupe interesi që zakonisht kanë qëndruar larg PD-së.

“Diskutimet sollën problematika që ose janë trajtuar pak nga PD, ose fare. Tryeza theksoi nevojën e kapilaritetit të lëvizjes opozitare për rrëzimin e qeverisë. Pa këtë shtrirje dhe ndërtim sinergjish në pole që nuk janë të identifikuara politikisht, është e vështirë,” u shpreh analisti.

Analisti preku edhe një temë të nxehtë të aktualitetit, atë të zjarrit masiv te tregu i rrobave të përdorura te rruga “5 Maji”, duke e lidhur me pasigurinë e biznesit të vogël. Ai theksoi se në tryezën e opozitës u ngrit shqetësimi i mungesës së infrastrukturës dhe sigurisë, ku rreth 200 biznese u shkrumbuan brenda një nate.

“Nuk ka vëmendje ndaj infrastrukturës së qytetit, pasi shumë biznese janë gjithë ditën në punë dhe s‘kanë siguri,” tha Neza.

Një pikë kritike e diskutimit ishte mungesa e partive të reja opozitare në tryezën e thirrur nga PD. Neza argumentoi se ndonëse këto forca janë kundër qeverisë dhe sistemit, ato “nuk e shohin veten tek nismat e PD-së në mënyrë të qëndrueshme”.

Ai solli në vëmendje historikun e PD-së, e cila në të shkuarën ka bërë aleanca pragmatiste edhe me parti të spektrit të majtë (si Partia Agrare e Lufter Xhuvelit), duke theksuar se çështja nuk është te PD-ja si sigël, por te nevoja kombëtare për ndryshim.

Në mbyllje, Neza nënvizoi se opozita nuk mund të justifikohet vetëm me mekanizmin e vjedhjes së votës nga mazhoranca.

“Opozita ka moralin dhe duhet të punojë për të fituar besueshmërinë. Ajo nuk ka as ministri Financash, as tendera dhe as bashki… duhet të fitojë besimin përmes moralit,” përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme