FSHF miraton propozimin e Partizanit për ndryshimin e tapetit të stadiumit “Arena e Demave”

Një nga vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv lidhet me investimin në stadiumin “Arena e Demave”.
Komiteti miratoi kërkesën e ardhur nga klubi i futbollit Partizani për zëvendesimin e tapetit me bar natyral me mbjellje me një tapet me bar hibrid.
Sipas kërkesës së ardhur nga klubi, kjo zgjidhje konsiderohet më e përshtatshme, për të garantuar standarde më të larta të cilësisë së fushës, qëndrueshmëri më të madhe ndaj ngarkesës së përdorimit dhe kushte optimale për zhvillimin e aktiviteteve sportive në stadium.
FSHF ka marrë përsipër të mbulojë financimin dhe realizimin e mbjelljes së barit në fushën e stadiumit dhe sistemin e vaditjes.
Në kompleksin “Arena e Demave” do të ndërtohen edhe dy fusha të tjera të miratuara tashmë. Në fushën me bar natyral me përmasa standarde, FSHF do të mbulojë financimin e sistemit të vaditjes, mbjelljen e barit si dhe pajisjen me porta, ndërsa në fushën tjetër po me përmasa standarde, FSHF do të vendosë tapetin artificial si edhe një set portash.
Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të vendit, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për organizimin me sukses të finaleve të Europianit U-21 2027.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




