Furnizimi i Gazës me ushqime, administrata Trump i jep 30 mln dollarë grupit amerikano-izraelit

Administrata Trump ka autorizuar dhënien e 30 milionë dollarëve për një grup amerikano-izraelit që shpërndan ushqime në Gazë, por që është kritikuar nga organizatat e tjera humanitare.
Ndihma për “Gaza Humanitarian Fund” (GHF) është e para që i jepet një organizate humanitare në mes të luftës Izrael-Hamas. Grupi kishte aplikuar për paratë nëpërmjet Agjencisë amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, dhe raportohet se ka në përbërjen e vet ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane e ushtarakë veteranë, të cilët shpërndajnë ndihma në disa prej zonave konfliktuale më të rrezikshme në botë.
Gaza prej 21 muajsh është gati përditë pre e sulmeve nga Izraeli, goditje të përqendruara edhe afër pikave ku shpërndahen ushqimet. “Gaza Humanitarian Fund” thotë se në pikat e saj nuk ka pasur të vrarë dhe falë ndihmave janë shpërndarë 44 milionë vakte për palestinezët në nevojë.
Ndërkohë nga pala palestineze dhe zyrtarë lokalë të shëndetësisë mësohet se forcat izraelite hapin vazhdimisht zjarr drejt turmave të njerëzve që shkojnë për ndihma. Sipas palës izraelite, ushtarët e saj kanë qëlluar në mënyrë paralajmëruese kur kanë parë se personat u janë afruar trupave në mënyrë të dyshimtë.
GHF-ja do që të zëvendësojë sistemin e shërbimeve aktualisht në funksion nga Kombet e Bashkuara dhe grupet humanitare ndërkombëtare. Bashkë me SHBA-në, ajo ka akuzuar se Hamasi po i grabit ndihmat e saj.
Agjencitë e OKB-së, grupet humanitare dhe ekspertët e vendeve në krizë paralajmërojnë se më shumë se 2 milionë banorë në Gazë janë në prag të zisë së bukës. /AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




