Furnizonin grupet kriminale me armë zjarri, 2 të arrestuar

Dy persona janë vënë në pranga pasi akuzohen se furnizonin grupet kriminale me armë zjarri. Gjatë operacionit “Silent” në pranga përfunduan dy të rinjtë, A. Hasa., 19 vjeç dhe J. Peca., 20 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë me 4 pistoleta, në mjetin me të cilin udhëtonin.
Mjeti ku udhëtonin dy të rinjtë u ndal për kontroll gjatë aksit “Qafë Kashar-Rinas”, ku u gjetën 4 pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë, si dhe një thikë.
Burime bëjnë me dije se armët dyshohet se merreshin nga Kosova, ndërsa dy të rinjtë dyshohet se kanë trafikuar armë edhe herë të tjera. Pistoletat shiteshin më pas te grupet kriminale me çmimet varionin nga 2 mijë deri në 3 mijë euro për copë.
Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e shokut të të arrestuarve, shtetasit G. Sh., 49 vjeç, u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome. Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




