G7 zotohen të intensifikojnë sanksionet ndaj Rusisë, kritikon Kinën

Botë | 4 vite më parë

Ministrat e jashtëm të G7 janë zotuar të intensifikojnë sanksionet kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë dhe kritikuan Kinën për veprimet e saj në ngushticën e Tajvanit dhe detin e diskutueshëm të Kinës Jugore, duke i kërkuar Pekinit “të veprojë si një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar”.

Kjo deklaratë u bë në përfundimin e një takimi tre-ditor në qytetin japonez të Karuizawa.

Komunikata e G7 kritikoi gjithashtu Korenë e Veriut për programin e saj bërthamor dhe të raketave balistike, shprehu shqetësimin për dhunën në Sudan dhe Mianmar dhe u bëri thirrje talebanëve të anulojnë ndalimin e grave që punojnë për organizatat joqeveritare (OJQ) dhe Kombet e Bashkuara.

G7, i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Kanadaja, tha se “nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet e Rusisë kundër civilëve dhe infrastrukturës kritike civile”.

“Ne mbetemi të përkushtuar për intensifikimin e sanksioneve kundër Rusisë, duke i koordinuar dhe zbatuar plotësisht ato”, thanë ministrat dhe do të mbështesim “për aq kohë sa duhet” Ukrainën derisa mbrohet.

“Retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë dhe kërcënimi i saj për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi janë të papranueshme”, thanë ministrat.

Ata shtuan se çdo përdorim i armëve kimike, biologjike ose bërthamore në Ukrainë “do të përballet me pasoja të rënda”.

Lidhur me Kinën, ministrat e G7 përsëritën thirrjen e tyre që Kina të veprojë si një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, duke rënë dakord se paqja dhe stabiliteti në ngushticën e Tajvanit ishte “një element i domosdoshëm në sigurinë dhe prosperitetin në komunitetin ndërkombëtar”.

Ministrat përsëritën se nuk kishte “asnjë bazë ligjore” për pretendimet e shtrira detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe kundërshtuan aktivitetet e militarizimit të Pekinit në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme