Gazment Bardhi pritet të mbajë postin e kryetarit të grupit, PD me propozime të reja për kryetarët e komisioneve parlamentare
Partia Demokratike pritet të mbledhë grupin e ri parlamentar për të përcaktuar aksionin politik për sesionin e ri të Kuvendit që nis në shtator.
Edhe pse ka pasur ide të ndryshme për marrëdhënien me Kuvendin, për shkak të konsiderimit farsë të zgjedhjeve të 11 majit, deklaratat e kryedemokratit, Sali Berisha të çojnë në konkluzionin se PD-ja nuk do ta bojkotojë Kuvendin.
Në konferencat për mediet, Berisha ka theksuar se PD do të kërkojë ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare, përfshi edhe atë për çështjen McGonigal.
Por sesioni i ri kuvendor, kërkon si procedurë që në seancën e saj të parë depozitimin nga ana e partive të emrave të drejtuesve të grupeve parlamentare.
Burime i thanë RTSH-së se Gazment Bardhi edhe pse këtë radhë me rivalë, ka shumë shanse të vijojë të mbajë pozicionin e kryetarit të grupit parlamentar.
Nuk përjashtohet mundësia që deputetë të caktuar të kërkojnë një tjetër nënkryetar të PD-së për postin e kryetarit te grupit, duke e konsideruar tashmë të tejkaluar në kohë dispozitën kalimtare të miratuar në forumet e PD-së në emër të bashkimit prej së cilës Bardhi me vijimin e mbajtjes së postit të kryetarit të grupit parlamentar, u zgjodh automatikisht pa votim edhe nënkryetar i PD-së.
Pasi dispozita përcaktoi që kreu i grupit të jetë edhe nënkryetar partie.
E njëjta strategji u ndoq edhe për Agron Gjekmarkaj i cili u emërua nënkryetar i Partisë Demokratike. Si propozim i kësaj partie mban edhe postin e nënkryetarit të parlamentit.
Për hir të procesit të bashkimit nga dy që e përmban statuti, PD e çoi në katër numrin e nënkryetarëve. Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi ishin zgjedhur me herët përmes votëbesimit nënkryetarë të Partisë Demokratike.
Demokratët do të përcaktojnë edhe drejtuesit e tyre në komisione të përhershme parlamentare.
Legjislaturën e kaluar, Jorida Tabaku drejtoi atë të integrimit, Ina Zhupa të medies dhe Albana Vokshi të shëndetësisë.
Burime i thanë RTSH-së se pritet të ketë ndryshime nga propozimet e PD-së për këto pozicione, megjithatë si edhe për rastin kreut të grupit, do të jetë grupi i ri parlamentar që do të thotë fjalën e tij të fundit.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




