Gjenerali i NATO-s: Kjo bazë vlerëson Shqipërinë si aleate dhe përcjell siguri për rajonin

Aktualitet | 3 vite më parë

Gjenerallejtnanti Huan Pablo Sançez De Lara (Juan Pablo Sanchez) e ka konsideruar hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë si një shenjë vlerësuese për Shqipërinë si aleate por edhe një hap më i madh për ruajtjen e sigurisë së rajonit.

Ushtaraku i NATO-s tha se kjo bazë është dëshmi se Aleanca është e angazhuar në këtë rajon dhe Shqipëria është e gatshme për të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë e paqe.

“Jam i lumtur të përfaqësoj  NATO-n në këtë ceremoni. Shqipëria është integruar plotësisht në NATO me synim për të siguruar paqen dhe sigurinë kombëtare. Kjo bazë është simbol i kontributit të saj në NATO. Po përcjellim siguri dhe solidaritet të ndërsjellët. NATO do garantojë përmes kësaj baze sigurinë më të mirë ajrore. Përurimi i kësaj baze tregon se aleanca jonë është e angazhuar në këtë rajon dhe Shqipëria është më shumë se kurrë e gatshme për të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë e paqe. Jam e sigurt që kjo bazë do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s e do të forcojë bashkëveprimin në kuadër të Aleancës. Ne do të kemi më shumë gatishmëri ushtarake dhe të jemi të gatshëm për operacionet e NATO-s dhe të garantojmë sigurinë dhe paqen. Së bashku do të qëndrojmë gjithmonë krah njëri-tjetrit”, tha gjenerallejtnant Sançez De Lara.

Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një investim madhor prej 50 milionë eurosh nga aleanca dhe më shumë se 5 milionë euro të investuara nga qeveria shqiptare. Kjo bazë, falë investimeve të realizuara, me infrastrukturë moderne për avionët luftarakë të Aleancës, është e një rëndësie të veçantë, ku nga ekspertët e fushës së aviacionit është konsideruar si “syri” i NATO-s në Evropë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme