Gjirokastra, Saranda e Ksamili me sinjalistikë të re. Inxhinieri i ARRSH: Synojmë më shumë siguri dhe orientim për turistët gjatë verës
Autoriteti Rajonal Rrugor në Gjirokastër ka përfunduar rifreskimin e sinjalistikës orientuese rrugore dhe turistike në disa prej akseve kryesore të rajonit jugor.
Kjo nismë synon të përmirësojë ndjeshëm orientimin e drejtuesve të mjeteve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke rritur sigurinë dhe lehtësuar lëvizjen. Në Gjirokastër ka përfunduar rifreskimi i tabelave orientuese, ndërsa ndërhyrja për sinjalistikën po vijon edhe në qytetet si Sarandë dhe Ksamil.
“Një drejtim i përgatitjes për sezonin e ri turistik veror të këtij viti është siguria rrugore dhe përforcimi edhe shtimi i sinjalistikës rrugore në akset rrugore kombëtare. Këtu prioritet i jepet akseve që të çojnë në destinacione turistike”, deklaroi inxhinieri i ARRSH Gjirokastër, Aristotel Noni.
Vëmendje të veçantë në këtë drejtim po i kushtohet zonave turistike.
“Të gjitha rrugët e plazheve parashikohet të kryehen punime mirëmbajtje dhe të bëhet vijëzimi i këtyre akseve që të çojnë në plazhet kryesore të jugut të Shqipërisë”, shtoi Noni.
Ndërhyrjet për sinjalistikën rrugore pritet të vijojnë edhe në qytete të tjera të rajonit jugor, me synimin për të pasur më shumë siguri në rrugë si për vendasit ashtu edhe për vizitorët e shumtë që frekuentojnë jugun gjatë muajve të verës.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



