GJKKO dënon me burg ish-kryebashkiakun Goro për tjetërsimin e pronës në Livadhja

Aktualitet | 1 vit më parë

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, pritet të vuajë 1 vit e 6 muaj në burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës për çështjen e tjetërsimit të një prone në zonën e Livadhjasë.

Verdikti u dha të mërkurën nga gjyqtarja Etleva Deda e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Dënimi final ndaj Goros u ul me 1/3 nga 2 vite burg që parashikonte Kodi Penal.

Me një vit burgim u dënua edhe i pandehuri Vasillaq Strakosha, ish-drejtori i menaxhimit të pronave në Bashkinë Himarë. Gjykata vendosi t’i heqë të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për pesë vjet.

Dosja e dytë ndaj Goros në GJKKO u dërgua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisur nga kallëzimi i ish-kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzoi se në vitin 2016, Goroja kishte kaluar në mënyrë të paligjshme 4.263 m² tokë në emër të Arqile Bollanos, i komanduar në atë kohë në krye të bashkisë. Bollano, sipas prokurorisë, kishte përfituar më herët edhe 7.700 m² tokë bazuar në ligjin 7501, duke e tejkaluar sipërfaqen që i takonte.

Goro është dënuar më herët edhe për një tjetër çështje, ku mori 2 vite e 20 ditë burg për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie. Në atë rast u konfiskuan mbi 10 mijë m² tokë të dhëna për investime strategjike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme