GJKKO lë në burg Voltan Xhanin, dyshohet se ka vrarë Elis Rroshkodolin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur të enjten vazhdimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj personit nën hetim Voltan Xhani.
Vendimi, i marrë nga trupi gjykues me gjyqtar Erjon Bani, vjen pas një kërkese të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) më datë 3 qershor 2025.
SPAK i ishte drejtuar GJKKO-së me kërkesën për “rivlerësimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg'” të caktuar fillimisht për Xhanin me datë 8 shtator 2024, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Kjo masë ishte verifikuar më pas me datë 25 maj 2025, nga e njëjta gjykatë, e cila në atë datë kishte shpallur “moskompetencën lëndore”.
Bazuar në nenet e Kodit të Procedurës Penale, GJKKO, me datë 5 qershor 2025, vendosi:
- Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj Voltan Xhanit.
- Ngarkimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi, personi nën hetim ka të drejtën të bëjë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
Voltan Xhani, dyshohet se vrau Elis Rroshkodolin
Voltan Xhani, është një nga personat e arrestuar në Durrës në lidhje me vrasjen e Elis Rroshkodolit. Dosja e ekzekutimit të Rroshkodolit, ngjarje e ndodhur më 30 gusht 2024, i ka kaluar SPAK-ut për verifikime të mëtejshme, duke theksuar përfshirjen e mundshme në grup të strukturuar kriminal.
Vendimi për transferimin e dosjes hetimore u mor nga Prokuroria e Shkodrës. Ajo argumentoi se katër personat e proceduar – dy të arrestuar dhe dy në kërkim – kanë siguruar mjetet dhe kushtet, duke vepruar si grup i strukturuar kriminal, me qëllim vrasjen e Elis Rroshkodolit.
Aktualisht, dy personat e arrestuar në këtë çështje janë Xhulio Malo dhe së fundmi Voltan Xhani. Ndërsa dy personat e tjerë që vijojnë të jenë në kërkim janë me inicialet J.Xh. dhe D.M.
Voltan Xhani ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Shkodrës që prej shtatorit të vitit 2024. Ai u arrestua nga forcat RENEA teksa po darkonte me dy persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë, Flobenc Gega dhe Xhevdet Plaku.
Të katër personat akuzohen për një sërë veprash penale të kryera në formën e Grupit të strukturuar kriminal:
- “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve me qëllim kryerjen e vrasjes”
- “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”
- “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim
- “Vrasja me paramendim”
- “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”
Kalimi i dosjes te SPAK tregon seriozitetin e akuzave dhe mundësinë e një shtrirjeje më të gjerë të hetimeve për këtë rast të rëndë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




