GJKKO shtyn në 26 qershor seancën ndaj Metës, avokati: S’figuron asnjë pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme, duhet të lirohet

Aktualitet | 1 vit më parë

Është shtyrë për më 26 qershor seanca në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.

Në një deklaratë për mediet, avokati Kujtim Cakrani u shpreh se SPAK ka dërguar letërporosi në vendet e BE, SHBA, Kanada e Qipro për pasuri të luajtshme e të paluajtshme të Metës, por sipas tij, nuk ka figuruar asgjë e tillë. Avokati theksoi se Meta po mbahet në paraburgim pa asnjë provë dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

“Nga kërkimet që ka bërë SPAK në republikën e Shqipërisë, në gjithë vendet e BE-së, SHBA, Kanada, Qipro, letërporosi, z. Meta nuk figuron as me pasuri të luajtshme as të paluajtshme. Z. Meta po mbahet në paraburgim pa asnjë provë.

Në këtë vend, Kushtetuta dhe ligjit procedural ka ngarkuar organin procedural të bëjë hetime. Prokuroria të na çojë çfarë ka bërë këto 8 muaj. Prokuroria bën inkuizicion ndaj një ish-presidenti. Duhej të bënte 4 dirigjenca. Nuk ka bërë asnjë. Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë ka përcaktuar rolin e organit të procedurës gjatë hetimeve paraprake të gjykatës dhe personit të pandehur”, tha ai.

Avokati shtoi më tej se nga 31 faqet e sjella nga Prokuroria, nuk ka asnjë provë që justifikon mbajtjen e tij në paraburgim. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dhënë urdhër për dënimin e Metës.  

“U dënua me urdhër të Ajatollahut (kryeministri Rama) të Tiranës, 10 ditë. Prokuroria solli një material 31 faqe pa asnjë të re. Më 26 qershor, ora 10:30 kemi seancën tjetër, ku do flas unë. Z. Meta duhet të lirohet patjetër. Po bën paraburgim me urdhër politik”, theksoi avokati.

Dy episode të reja korrupsioni nga SPAK

Prej muajit tetor të 2024-ës, Meta ndodhet në paraburgim. Ai është nën akuzë për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie gjatë kohës kur jetonte me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Prokuroria mësohet se ka depozituar dy episode të reja të dyshuara si vepra të korrupsionit nga ana e çiftit Meta–Kryemadhi. Bëhet fjalë për një kartë bankare të përdorur për blerje dhe shpenzime të ndryshme, që sipas burimeve të RTSH i është vënë në dispozicion Kryemadhit dhe Metës nga biznesmeni Adrian Shatku. Nga hetimet paraprake më herët është zbuluar një kartë tjetër “American Express” që ishte përdorur dhe vënë në dispozicion nga i njëjti biznesmen.

Po ashtu sipas burimeve, SPAK pritet të saktësojë për Metën episodin mbi akuzën e lobimit të ish-LSI, pasi nga letërporositë janë zbuluar të dhëna të reja mbi pagesat dhe kontratën.

Gazetare: j.k. / Amela Koçerri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme