Gjuha shqipe në media – Tryezë diskutimi për nxitjen e përdorimit të saktë dhe korrekt të saj

Kulturë | 1 vit më parë

Në Universitetin “Fan Noli” në Korçë u zhvillua tryeza e diskutimit “Fol Shqip: Një monitorim dhe debat rreth gjuhës shqipe në TV”, një veprimtari e iniciuar nga Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e ndjeshmërisë për përdorimin sa më të saktë të gjuhës shqipe në mediat audiovizive dhe përmirësimin e komunikimit profesional në raportimet e përditshme të gazetarëve.

“Tendencat dhe presionet e gjuhëve të mëdha ndërkombëtare janë shumë të forta dhe kemi mangësi në kuptimin e personelit të redaktorëve gjuhësor dhe një problem që duhet të filloj që te shtimi i orëve të gjuhës shqipe, dhe deri tek shqipja korrekte zyrtare nëpër institucione”, u shpreh analisti dhe gazetari Lutfi Dervishi.

“Problemet e gjuhës shqipe ne i dimë të gjithë, që nga shkolla, jeta e përditshme por në media ka një rëndësi të veçantë sepse është ndikuese për publikun e gjerë”, tha Prof. As. Dr. Anila Saraçi.

Gjatë takimit, u prezantua studimi i fundit i Institutit Shqiptar të Medias mbi përdorimin e fjalëve të huaja në media, duke sjellë shembuj konkretë të ndikimit negativ që ka huazimi i pakontrolluar në cilësinë e gjuhës së përdorur në ekrane.

Në diskutim morën pjesë gazetarë, pedagogë dhe studentë, të cilët ndanë mendime dhe përvoja mbi sfidat e përdorimit të drejtë të shqipes në median bashkëkohore.

Gazetare: Elsa Xhindole

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme