Gjykata e Lartë rrëzon Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, lë në fuqi dënimin me 55 vite burg

Aktualitet | 5 muaj më parë

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, të vitit 2021 për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri në dhomë këshillimi, kanë lënë në fuqi dënimin me 55 vite burg në total për 5 të akuzuarit.

Bëhet fjalë për dosjen ku ata ishin shpallur fajtor për gjobëvënie e grup të strukturuar kriminal.

Në vendimin e formës së prerë të 5 viteve më parë, Emiljano Shullazi u dënua me 14 vite burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vite burg dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Për Gilmando Danin, i cili ishte dënuar me 12 vite burg, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit pasi ai ka vdekur. Dani ashtu si gjithë të akuzuarit e tjerë përveç Emiljano Shullazit, ishte liruar dhe u ekzekutua në një atentat mafioz nëntorin e vitit 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit bashkë me mikun e tij, agjentin e AMP, Mustafa Sheqeri.

Ndërkohë Emiljano Shullazi mbahet në qeli edhe për dy dosje të tjera të SPAK, operacionin “asgjë nuk harrohet” lidhur me vrasjet e vitit 2005, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut dhe operacionin “revanshi” ku për të është kërkuar dënimi me 10 vite burg me gjykim të shkurtuar për sigurim kushtesh për të kryer vrasje e grup kriminal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme